Presidenti kërkon që tregu kosovar të mbushet me prodhime “Made in Kosova”

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot mori pjesë në panairin e prodhimeve vendore dhe forumin ekonomik “10 Vjetori i Pavarësisë Ekonomike të Kosovës”, të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Lajme

13/02/2018 15:52

Presidenti Thaçi ka thënë se jemi mbledhur në një moment të veçantë, në prag të 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe në këto momente duhet të kujtojmë se ku kemi qenë dhe ku jemi sot, por edhe ku aspirojmë të arrijmë.

“I kujtojmë vuajtjet dhe shkatërrimet e luftës. Por, e kujtojmë edhe vendosmërinë tonë për t’u mos u dorëzuar, për t’u ringritur, për të mbijetuar dhe për t’u zhvilluar”, ka thënë presidenti Thaçi.

Për prodhuesit vendorë, presidenti Thaçi ka thënë se janë ballafaquar me sfida të panumërta, por asnjëherë nuk janë dorëzuar, kanë mbijetuar dhe janë zhvilluar.

“Sot, zhvillimi i Kosovës, sukseset e dekadës sonë të parë, lidhen ngushtë me ju”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i vendit ka shtuar se në dekadën e parë, shteti ynë ka shënuar hapa të rëndësishëm për konsolidimin e shtetësisë, si në rrafshin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

“Kemi nënshkruar MSA-në me Bashkimin Evropian dhe jemi ftuar nga NATO-ja për bashkëpunim të avancuar. Këta dy hapa kanë qenë shumë të rëndësishëm për të ardhmen tonë dhe na kanë vënë fuqishëm në binarë drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, pohoi presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se Kosova ka vazhduar të promovojë dialogun brenda vendit dhe në marrëdhënie me fqinjët tanë, duke u bërë eksportuese e paqes dhe kontribuuese e stabilitetit dhe prosperitetit rajonal.

“Kosova, po ashtu, shënoi të arritura të mëdha në skenën ndërkombëtare në fushën e artit, kulturës e sportit”, theksoi i pari i vendit, duke shtuar se “sukseset dhe arritjet tona janë rezultat edhe i bashkëpunimit të fuqishëm me partnerët tanë”.

Presidenti Thaçi ka shtuar se bashkë kanë punuar që të ndërtojnë një platformë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe mirëqenie qytetare, duke përfshirë të gjitha kërkesat e komunitetit të biznesit.

“I bëmë 10 vjet si shtet dhe është koha që shteti, tregu jonë, të mbushet me prodhime “Made in Kosova”, theksoi presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se duhet të jemi krenarë me të arriturat e Kosovës dhe me të arriturat e deritashme të prodhuesve.