Presidenti Izraelit: Shoqëria izraelite është e sëmurë

Presidenti izraelit, Reuven Rivlin tha se ka ardhur koha që të pranohet se "shoqëria izraelite është e sëmurë dhe ka nevojë të trajtohet", raporton agjencia gazetare turke Anadolu.

Bota

20/10/2014 20:03

Presidenti Rivlin iu drejtua pjesëmarrësve të konferencës “Armiqësitë e jashtme dhe pranimi i të tjerëve”, e cila u mbajt në Akademinë e Shkencave izraelite, me ç’rast tha se tensionet mes hebrenjve dhe arabëve kanë arritur kulmin dhe se sëmundja e dhunës ka përfshirë të gjitha fushat e jetës.

Duke shprehur bindjen personale se komuniteti akademik izraelit do t’i prijë proceseve për të zgjidhur problemet në shoqëri, Rivlin tha se dhuna është e përhapur në të gjithë fushat e shoqërisë nga stadiumet e futbollit deri në Akademi. “Dhuna vërehet edhe në mediat sociale, spitale dhe shkolla. Nuk dua ta kujtoj pyetjen e Martin Buber: A kemi harruar që të jemi hebrenj?”, Por pyetja ime është nëse ne kemi harruar të jemi njerëz?”, tha Rivlin.

Nga mesi i qershorit, në Bregun Perëndimor u zhdukën, kurse 18 ditë më vonë u gjetën të vdekur tre të rinj izraelitë. Këtij rasti kolonët izraelitë iu përgjigjën me vrasje mizore të një të mituri palestinez. E gjithë kjo inicioi sulmet 51-ditore ajrore dhe tokësore izraelite në Rripin e Gazës, që kishin pasoja të tmerrshme.

Sulmet u ndaluan pas negociatave në Kajro, por tensionet janë të ngjashme dhe të vazhdueshme në kompleksin e xhamisë Al Aksa në Jerusalem.