Presidenti grek e konsideron si problem serioz njohjen e Kosovës

Presidenti i Greqisë, Karolos Papoulias e ka konsideruar si problem serioz njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Greqia.

Lajme

02/05/2014 20:50

Këto deklarata Papoulias i dha gjatë një konference për media, teksa ishte në vizitë në Zvicër.

Presidenti grek ka thënë se, Greqia nuk ka presion për të mos njohur Kosovën, por ai ka shtuar se Greqia vepron vetëm në bazë të interesave kombëtare.

“Problemin e Kosovës unë e njoh shumë mirë dhe ky problem është serioz, jo vetëm për stabilitetin në Ballkan, por për paqen në përgjithësi në Bashkimin Evropian”,.

Papoulias ka nisur sot një vizitë zyrtare në Zvicër, që është vizita e parë e një presidenti grek në Zvicër që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve 119 vite më parë, transmeton BË.

Gjatë konferencës për shtyp me presidentin dhe ministrin e Jashtëm të Zvicrës, Didier Burkhalter, presidenti grek është pyetur po ashtu edhe për marrëdhëniet e Greqisë me Shqipërinë.

Lidhur me ligjin grek për luftën me Shqipërinë, Papoulias është përgjigjur se, “Greqia sot udhëheq një politikë në favor të paqes dhe stabilitetin në Ballkan”. Më tej ai flet për emigrantët shqiptarë në Greqi duke përdorur termin “strehim” dhe për ndikimin e madh të remitancave.

“Sot, ne në Greqi kemi strehuar mbi 1 milion shqiptarë, kryesisht punëtor, pavarësisht se vendi ynë ballafaqohet me krizë ekonomike e financiare. Do të shtoja se, sot këta punëtorë shqiptarë në vendit tonë janë pjesë e një buxheti të madh në Shqipëri, ku nga vendi ynë transferohen atje”, është shprehur Papoulias.

(Kosovapress)