Presidenti dhe kryeministri mungojnë në intervistat për dëbimin e gylenistëve

Dy krerët e shtetit nuk janë paraqitur në thirrjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për të raportuar lidhur me rastin e depërtimit të gjashtë shtetasve turq në mars të këtij viti.

Lajme

26/11/2018 10:01

Presidenti Hashim Thaçi ka udhëtuar për në SHBA ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj sot do të marrë pjesë në mbledhjen e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë në Pejë.

Fillimisht  Komisioni Hetimor nuk miratoi kërkesën e deputetes së PDK-së,  Ganimete Musliu e cila propozoi që nga rendi i ditës të hiqet intervistimi i presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj për shkak të mospjesëmarrjes së tyre në Komision.

Megjithatë më vonë u vendos që kjo mbledhje të shtyhet për një ditë tjetër, me rend të njëjtë të ditës.

Sipas kryetarit të këtij komisioni, deputeti i LVV-së, Xhelal Sveçla, nga zyra e Presidentit nuk kanë  marrë njoftim e as nga zyra e kryeministrit, raporton kallxo.com.

Ndërkaq deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj tha se duhet kërkuar falje kryeministrit që e kanë ftuar në një ditë kur ai s’mund të vijë.

“Ti kërkohet falje kryeministrit që është ftuar sot duke e ditur që e ka mbledhjen e qeverisë. Të thirret në kohën kur ai ka mundësi”.

Ndërkaq deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj tha se pushtetet janë të ndara dhe nuk është  e tyre ta arsyetojnë mungesën e askujt.

Në Komision sot përveç këtyre dyve pritej të intervistohet edhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Luzlim Ejupi.

Së fundmi, ky komision mori në pyetje ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj.