Presidenti dekoron edhe Gjergj Dedajn

Medaljen Presidenciale, Presidenti Hashim Thaçi sot ia dhuroi edhe Gjergj Dedajt.

Lajme

06/06/2018 18:44

Presidenti Thaçi i ka dekoruar me Medalje Presidenciale Bujar Bukoshin, Xhavit Halitin dhe Baton Haxhiun. Në zyrën e Presidentit për të marrë një medalje ka shkuar edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj.

“Për veprimtarinë, sakrificën dhe vetëmohimin e Gjergj Dedajt dhe tërë familjes Dedaj, sot i dekorova me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë, për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Presidenti në Facebook.

Thaçi shkroi se dekorimin po e bën për kontributin që, sipas tij, Dedaj ka bërë në tri dekada për Pavarësinë e Kosovës.

“Si lider politik, Gjergj Dedaj ka internacionalizuar kauzën e Kosovës në botë, ka qenë pjesëmarrës në konferencën e Rambujesë dhe është kontribuues i pashoq për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në tri dekada. E madhe është edhe veprimtaria e familjes Dedaj. Për angazhimin e tyre, shumë anëtarë të familjes kanë paguar me jetë në Mejë të Gjakovës, në vitin 1999”, ka shkruar Thaçi.