Presidenti çek: UÇK terroriste, Kosova shtet i narko-mafisë!

Sipas Presidentit të Çekisë, Milos Zeman, formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës do të jetë riarmatim i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “përgjegjëse për aktet e terrorizmit”. Këto komente i ka thënë sot gjatë vizitës së tij në Serbi.

Lajme

02/04/2014 19:32

Presidenti i Çekisë, Milos Zeman, në një vizitë të tijën në Serbi ka cilësuar luftën e UÇK-së si luftë me veprime terroriste.

Zeman ka thënë se Ushtria e pavarur e Kosovës nuk do të ishte ndonjë gjë tjetër veçse UÇK e armatosur.

“Meqë UÇK gjatë kohës së luftës në Jugosllavi ka kryer një sërë veprimesh terroriste, kam frikë se Ushtria e pavarur e Kosovës nuk do të ishte ndonjë gjë tjetër veçse UÇK e armatosur”, u tha ai gazetarëve çekë që e ndiqnin vizitën e tij në Serbi dhe Slloveni.

Por, nuk e la me kaq, duke e konsideruar Kosovën edhe si shtet me ndikim të narko-mafisë.

Ai tha se pjesë përbërëse e marrëveshjes së paqes ishte edhe shpërbërja e UÇK-së, raporton Blic dhe Beta.

“E tash faktikisht do ta ripërtërijmë. Kam qëndrimin se Kosova, të cilën disa shtete nuk e kanë njohur, me fjalë të buta është shtet i çuditshëm, një shtet me ndikim të narko-mafisë”, ka thënë ai, duke përmendur “dyshimet se UÇK ka bërë tregti me organe”!