Presidenca shpreh keqardhje që një ndeshje futbolli riktheu hasmërinë

Presidenca e Republikës së Kosovës ka reaguar lidhur me ngjarjet e javës së kalaur në Beograd, duke shprehur keqardhje për atë se si një ndeshje futbolli, që do duhej të ishte një festë tifozësh ku tregohet aftësia sportive, e ka kthyer gjithë rajonin e Ballkanit në një arenë të hasmërive të vjetra.

Lajme

20/10/2014 16:53

“Është për keqardhje që një ndeshje futbolli, që do duhej të ishte një festë tifozësh ku tregohen aftësia dhe sportiviteti, e ka kthyer gjithë rajonin e Ballkanit në një arenë të hasmërive të vjetra dhe është shndërruar në pengesë të komunikimit ndërmjet njerëzve”, thuhet në reagimin e dhënë për lajmi.net nga Presidenca e Republikës së Kosovës.

“Periudhat e konflikteve dhe të urrejtjeve, duhet të përfundojnë dhe të hapet rruga e mirëkuptimit dhe e mirëbesimit ndërmjet qytetarëve dhe popujve dhe gjithashtu duhet të tregohet kuraje e guxim për të shtrirë dorën e bashkëpunimit drejt qëllimit parësor të secilit prej vendeve të Ballkanit – integrimit evropian”, thuhet në reagim. 

Po ashtu, Presidenca e Republikës së Kosovës  vlerëson se në vitet e fundit ka pasur një përparim të theksuar në raportet ndërmjet shteteve të Ballkanit, dhe se ky moment duhet ta ruhet dhe të zhvillohet.

“Nuk guxojmë që të lejojmë kthim në të kaluarën”, vlerëson Presidenca e Republikës së Kosovës.

Ndeshja futbollistike e vlefshme për kualifikim në Kampionatin Evropian 2016, e cila filloi të martën në mbrëmje në Beograd, mes Serbisë dhe Shqipërisë, u ndërpre në minutën e 42-të pas incidenteve në fushë, të shkaktuara nga huliganët serbë.