Presidenca: Koha për kompromis

Partitë duhet të bëhen gati për kompromis për të gjetur zgjidhje për krizën politike në të cilën gjendet Kosova që më shumë se katër muaj.

Lajme

20/10/2014 17:57

Kjo është deklarata më e qartë e zyrës së Presidencës prejse zonja Atifete Jahjaga është përfshirë në diskutimet me partitë parlamentare për të zgjedhur udhëheqësit e ri të parlamentit dhe më pas qeverisë.

Në përgjigjen e dërguar kërkesës së Indeksonline për ngërçin politik, ndër të tjera thuhet se “liderët e partive politike parlamentare, me të cilët ka nisur diskutimi që prej tre javësh, duke e kuptuar seriozitetin e situatës, dhe përmes angazhimit konkret, që kërkon kompromisin si pjesë të kulturës së dialogut, duhet të gjejnë zgjidhje brenda kuadrit kushtetues dhe ligjor dhe në respektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”.

Kompromisi deri më tash ka qenë i pamundur për shkak se partitë që kanë bërë marrëveshje pas zgjedhjeve të 8 qershorit, LDK, AAK, Nisma për Kosovën dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë mbajtur qëndrime që me PDK nuk do të ketë kurrfarë marrëveshje.

Tre partitë e para, disa herë iu kanë dërguar komunikata të veçanta mediave duke thënë se PDK-në do e bojkotojnë në tërësi pasi me të nuk pajtohen as të takohen.

Kjo ndryshoi deri diku pas vizitës së senatorit amerikan, Chris Murphy, mirëpo qëndrimet e mbajtura sot nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj se me PDK nuk ka në plan të bëjë koalicion tregon se koalicioni paszgjedhor nuk e ka në plan të ndryshojë qëndrim.

Përgjigja e Presidencës dërguar Indeksonline përkon me derklaratën e bërë nga senatori amerikan, Murphy se liderët kosovarë, për hir të themelimit të institucioneve shtetërore duhet të bëjnë edhe “sakrifica personale”.

Kriza politike disa mujore po alarmon jo vetëm ndërkombëtarët, por edhe zyren e Presidentes.

“Kriza institucionale dhe mbi të gjitha kriza politike është thelluar dhe ne tani kemi hyrë në një prej periudhave më të rënda për vendin, kur kriza buxhetore do të mund të krijojë një gjendje të pakënaqësisë së përgjithshme në vend. Me moszgjidhjen e nyjës institucionale, po pengojmë nisjen dhe përfundimin e reformave të thella në shoqëri, në veçanti ato që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe të rendit, që çojnë drejt krijimit të një shteti të së drejtës, dhe gjithashtu po i ngadalësojmë proceset integruese të vendit”, thuhet në këtë përgjigje.

Presidenca e Kosovës gjithashtu është e shqetësuar edhe me “testimin e Kushtetutës tonë dhe demokracinë e re që po e ndërtojmë”.