Presheva kërkon ndihmë

Kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, lëshon alarmin për ndihmë nga Prishtina e Tirana. Denoncon diskriminimin ndaj shqiptarëve dhe avokon idenë e shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi.

Lajme

10/11/2013 07:15

Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, kërkon dorën e ndihmës nga Prishtina dhe Tirana për t’u dalë në ndihmë shqiptarëve që jetojnë në tri komunat në jug të Serbisë dhe të cilat, sipas tij, po përballen me një diskriminim të papërshkrueshëm.

Mustafa foli për lajmi.net një ditë pasi policia dhe inspektorati serb hynë në fshatin Raincë të Preshevës dhe konfiskuan librat shkollorë të nxënësve shqiptarë të cilët ishin dhuruar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës.

“Një situatë e tillë është e papërshkrueshme, sepse marrja e librit shkollor shqip nga dora e nxënësit të shkollës fillore sidomos të atij të klasës së parë fillestar, marrja e Abetares gjithëkombëtare nga dora e fëmijëve nga policia, është një situatë absolutisht e papërshkrueshme”.

“Një situatë e cila aspak nuk është e këndshme për shqiptarët në Preshevë, madje edhe në Bujanoc dhe Medvegjë”.

Ai akuzon Serbinë për diskriminim të shqiptarëve në tri komunat ku ata jetojnë në jug të Serbisë dhe thotë se Beogradi bëri tërësisht të kundërtën e asaj që duhet ta bëjë

“Në vend se Qeveria serbe të sjellë libra shkollorë për nxënësit shqiptarë, ajo vjen dhe e konfiskon edhe atë që si dhuratë e kanë dhënë Qeveria e Republikës së Kosovës”.

“Ky është një gjest i paprecedent që di të ndodhë vetëm në Serbi, që ka ditur të ndodh vetëm në territorin e Republikës së Kosovës viteve të 1990”.

“Prandaj në këtë drejtim kërkojmë përfundimisht ndihmën e autoriteteve zyrtare të Qeverisë në Prishtinë dhe në Tiranë që të ndihmojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës, sepse diskriminimi në përshkallëzim e sipër”.

Por, sipas Mustafës, edhe Qeveritë në Tiranë dhe Prishtinë duhet të gjejnë forma të ndihmës duke ngritur çështjen “me autoritetet në Bruksel dhe në Washington”.

“Ndërsa në vazhdën e bisedimeve dhe të takimeve që pritet të bëhen ndërmjet autoriteteve të Tiranës zyrtare me këto në Beograd që ndërkohë të hapin këto tema dhe përfundimisht t`i vëmë pikë një herë e përgjithmonë këtyre rasteve dhe këtyre diskriminimeve që u bëhen shqiptarëve në Luginë të Preshevës”, thotë Ragmi Mustafa.

Ai thotë se që nga e premtja është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet në Tiranë dhe Prishtinë.

“Është një situatë shumë e rëndë dhe kam kërkuar ndihmën e tyre”.

Menjëherë pas aksionit serb në Raincë, Ragmi Mustafa i ka bërë thirrje edhe Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, që ta ndërprejë dialogun me homologun e tij serb Ivica Dacic.

“Kam kërkuar këtë, sepse Qeveria serbe bën çka të dojë në Kosovë, bën çka të dojë në Luginë të Preshevës. Këto situata pa dyshim se janë të ndjeshme. Komuniteti ndërkombëtar nuk mund të na kushtëzojë që shqiptarët pafundësisht të lëshojnë pe”.

Mustafa dhe një pjesë e madhe e lidershipit shqiptar të Luginës së Preshevës vazhdimisht i kanë mbështetur idetë për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me kushtin që një pjesë e Veriut të Kosovës të kalojë nën administrimin serb, ndërsa tri komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc t’i jepen Kosovës.

Aksioni i së premtes vetëm sa ia ka forcuar Mustafës adhurimin për këtë ide.

“Ne  e kemi thënë këtë prej vitit 1992 në referendum për bashkëngjitjen me Republikën e Kosovës dhe në platformën e vitit 2006. Tani është loja politike që duhet ta bëjë autoriteti zyrtar qoftë i Kuvendit apo Qeverisë në Prishtinë”.

Sipas tij, Kuvendi i Kosovës do të duhej t’ia jepte Qeverisë një mandat për të diskutuar këtë çështje.

Por, thotë se tash për tash, mund të jetë pak herët për ta hapur këtë çështje.

“Kosova duhet ta arrijë mëvetësinë e saj të plotë dhe të detyrojë Serbinë që ta njohë integritetin territorial të Kosovës në tërë territorin e saj. Më pastaj mendoj se do të vijë dhe të funksionojë edhe më mirë Qeveria e Republikës së Kosovës”, thotë Ragmi Mustafa për lajmi.net.