Premton ta lidhë Kosovën me Serbi me autostradë deri në Konçul

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli në tubimin e madh përmbyllës që mbajti në Gjilan ka premtuar se do ta ndërtojë autostradën deri në Kamenicë dhe ta lidhë Anamoravën me Rrugën e Kombit. 

Lajme

04/06/2014 21:54

Sipas tij, autostrada për Konçul është arterie për Anamoravën dhe Kosovën Lindore.

“AKR e ka filluar këtë nismë e këtë projekt dhe ne nuk heqim dorë sepse edhe AKR-ja është e Anamoravës, por edhe Anamorava është e AKR-së. Unë e dua këtë vend më shumë se çdo gjë tjetër”, u shpreh Pacolli, raporton rajonipress.

Pacolli ka thumbuar Lutfi Haziri për të cilin tha se shumë shpejt do t`i kërkojë falje. “Lutfi Haziri mund të jetë mbret i Gjilanit, por unë vetëm një gjë e di se ai shumë shpejt mua personalisht do të më kërkojë falje. Ai përkohësisht ka treguar muskujt e tij duke e abuzuar me atë”.

Ndërkaq, duke folur për investimet në Kosovë, ai tha se AKR-ja është përpjekur të bëjë të pamundur që në Kosovë të vijnë donacione e investitorë.

“Ju e patë se ne kishim një projekt disa milionësh, por nuk gjetëm tokë në Mitrovicë dhe projektin e zhvendosëm në Prishtinë. I fala 6 hektarë për fabrikën e kërpudhave dhe e patë reagimin e arrogancën e djaloshit Shpend Ahmeti. Ai në vend se të na përkrahë dhe na ndihmojë, e bëri të kundërtën. Shpendi le të merret me ujin se më mirë i bie”, tha Pacolli.

Kandidatët për deputetë nga Gjilani kanë shpalosur programet e tyre duke kërkuar votën e gjilanasve.