Premtohet përkrahje e mëtejme për bujqësinë, pylltarinë dhe zhvillimin rural

Bashkëpunimi mes Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe donatorëve ndërkombëtarë ka bërë që bujqësia në Kosovë të shënojë progres të vazhdueshëm. Kështu u tha sot në konferencën “Partneritet i qëndrueshëm për bujqësinë, pylltarinë dhe zhvillimin rural në Kosovë 2017”, organizuar MBPZHR e ku pjesëmarrës ishin përfaqësues të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare që mbështesin sektorin e bujqësisë në Kosovë.

Lajme

25/04/2017 16:32

Në këtë konferencë i pranishëm ishte edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Në konferencë u diskutuan edhe projektet dhe mundësitë për investime në të ardhmen në bujqësi dhe zhvillim rural. Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi u shpreh mirënjohës për bashkëpunimin e sinqertë e konstruktiv gjatë këtyre viteve dhe në veçanti për kontributin shumë të çmuar të institucioneve ndërkombëtare në zhvillimin e sektorit të bujqësisë të Kosovës.

“Ndihma dhe përkrahja juaj ndikoi fuqishëm që ne të rikuperojmë dëmet e mëdha nga lufta dhe të arrijmë të zhvillojmë sektorin deri në gjendjen ku është sot, me synime edhe më të mëdha për të ardhmen”, u shpreh ministri Krasniqi.  Duke ilustruar buxhetin e ndarë ndër vite për sektorin e bujqësisë, Ministri Krasniqi theksoi progresin e arritur ndër vite, ku nga 6.3 milionë Euro buxhet i ndarë në vitin 2007 për MBPZHR-në, sivjet buxheti i Qeverisë i ndarë për këtë sektor arrinë vlerën në 57.6 milionë Euro.

Ministri shtoi se me mbështetjen e MBPZHR-së janë shtuar mijëra sipërfaqe me pemë dhe perime, si dhe janë hapur qindra ferma me aktivitete të ndryshme bujqësore.

Gjithashtu Ministri Krasniqi ndër objektivat e Ministrisë paraqiti synimin për rritjen e buxhetit, transparencës e po ashtu projekte madhore siç janë sigurimet bujqësore dhe investime në sisteme të ujitjes së tokave bujqësore.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli tha se partnerët tanë që nga periudha e tranzicionit të vendit tonë kanë dhënë kontribut të vazhdueshëm në procesin të ndryshme demokratike dhe zhvillimore të Kosovës, përfshirë edhe bujqësinë tonë. “Bujqësia është njëri ndër sektorët, prej të cilit varet edhe e ardhmja e ekonomisë së vendit tonë. Kjo konferencë e përcjellë mesazhin se ekonomia në këtë kontekst edhe bujqësia, duhet të jetë çështja më e rëndësishme e politikës sonë”. Sipas tij, Kosova duke zbatuar rregullat e ekonomisë së lirë të tregut Kosova duhet të rrisë cilësinë e produkteve dhe të orientohet drejt eksportit.

Në këtë konferencë, BE, USAID, Banka Botërore, GIZ dhe organizata e institucione të tjera ndërkombëtare në Kosovë kanë prezantuar projektet që kanë mbështetur në sektorin e bujqësisë në Kosovë. Ata premtuan vazhdim të mbështetjes në shumë dimensione. /Lajmi.net/