Premtimi i portit të Shëngjini për Kosovën, vetëm fjalë boshe

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto ka mohuar që dhënia e Portit të Shëngjinit Kosovës të ketë ekzistuar si projekt. Ai deklaroi se janë në diskutime me një kompani kineze për portin e Shëngjinit, por nuk ka gjetur asnjë dokument në Ministri që ky port t'i jepej në përdorim Kosovës.

Lajme

02/02/2015 23:54

“Nuk kam asnjë material të tillë në Ministri për këtë. Ekziston një vullnet i përbashkët që ne të krijojmë të gjithë lehtësitë e mundshme për bizneset kosovare që duan t’i përdorin ata. Ajo që mund të them është se ne kemi një gatishmëri të plotë për të bashkëpunuar me palën kosovare për t’i bërë portet e Shqipërisë sa më atraktive”, tha Haxhinasto në lidhje me deklaratat e bëra nga Berisha dhe ish-ministri i Transportit i Kosovës, Fatmir Limaj, nga porti i Shëngjinit gjatë qeverisjes së PD.

Gjatë intervistës për “5 Pyetjet nga Babaramo”, Haxhinasto foli edhe për aeroportet dhe mundësinë për përdorimin e aeroportit të Kukësit për fluturimet ndërkombëtare.

 “Jemi në një proces që do të përfundojë së shpejti”, tha Haxhinsto, i cili shtoi se po  realizohet një studim fizibiliteti për një aeroport në Jug, për t’i shërbyer edhe turizmit.

Në fillim të intervistës ministri Haxhinasto foli edhe mbledhjen urgjente të qeverisë për situatën e krijuar në jug të vendit pas reshjeve të fundit.

“Mbledhja për të koordinuar më tej masat që do të merren për përballimin e situatës. Nuk është marrë akoma vendimi për gjendjen e emergjencës. Ajo shpallet kur krijohen disa kushte të vështira”, tha Haxhinasto.