Premtimi 100 milionësh

Hashim Thaçi premtoi 100 milionë euro investime ne Prizren. Kështu ai e nisi fushatën e parë për PDK'në. Lavdëroi Kandidatin Ramadan Muja dhe shprehu bindjen edhe për një fitore tjetër të tij.

Lajme

03/10/2013 16:58

Në ditën e parë të fushatës zgjedhore, Hashim Thaçi ka qëndruar në Prizren, ku ka premtuar 100 milionë euro investime.

Premtimin njëqindmilionësh Thaçi e ka bërë në hapje të fushatës zgjedhore të PDK’së në këtë qytet, të cilin e udhëheq aktualisht partia e tij.

Ai ka lavdëruar Kandidatin Ramadan Muja, ka ftuar që sërish t’i besojnë atij, si dhe ka shprehur bindjen për fitoren edhe të një mandati.

“Ftoj  të gjithë që të dalin në zgjedhje dhe të votojnë kandidatin e PDK’së, Ramadan Mujën. Muja në dy mandatet e kaluara ka bërë investime të mëdha”.

“Muja jo që i ka realizuar, por i ka tejkaluar premtimet e dhëna”.

Lideri i PDK’së ka thënë se partia e tij do të vazhdojë të jetë model për organizimin e zgjedhjeve.

“Sot jemi këtu të gjithë në Prizren, jemi në qytetin historik, por edhe në qytetin e së ardhmes, si Kryetar i PDK’së, ju të nderuar anëtarë, simpatizantë dhe mbështetës të PDK’së, mund vetëm të ju konfirmoi zotimin e plotë në besimin tonë të fuqishëm se edhe në zgjedhjet e vitit 2013, pra me 3 nëntor, PDK dhe kandidatët e saj për kryetarë do të fitojnë shumicën e komunave të Kosovës në raundin e parë, ku do të përfshihet edhe Prizreni”.

Kandidati i PDK’së për Kryetar të Prizrenit, Ramadan Muja, ka premtuar se do të punojë edhe më shumë në mandatin e ardhshëm, për të cilin është shprehur i bindur se do ta fitojë me 3 nëntor.

Ai ka lutur qytetarët e Prizrenit edhe për një udhëtim katërvjeçar, duke u kërkuar atyre që më 3 nëntor të votojnë atë dhe Partinë Demokratike të Kosovës.

Muja ka deklaruar se qytetarët e Prizrenit janë dëshmitarë për realizimin e mijëra projekteve që kanë ngritur mirëqenien dhe kanë lehtësuar jetët e tyre.

“Për të gjitha të arriturat në këtë periudhë katërvjeçare që e lëmë pas, kemi investuar falë përkrahjes së Kryeministrit Thaçi dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës 90 milionë në periudhën e katërvjeçarit, sigurisht se me lejen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, do të investojmë edhe 100 milionë euro.”