Premtimet për 200 mijë vende pune, të parealizueshme

Premtimet e liderëve politikë të cilët po kandidojnë për kryeministër mbi hapjen e vendeve të reja të punës, nuk po shihen si të mundshme. Shifra prej 200 mijë vende të reja të punës, sipas Agron Demit nuk mund të përmbushet as për 15 vjet.

Lajme

04/06/2014 20:33

Asnjëri nga liderët politikë nuk do të mund të punësonte 200 mijë veta brenda një mandati qeverisës.

Për të përmbushur premtimet, Hashim Thaçi apo kushdo nga liderët nëse u jepet mundësia të vijnë në pushtet do të duhej që çdo ditë të punësonin nga 137 vetë, me kusht që punësimi të vazhdonte edhe të shtunave e të dielave.

E kjo për Agron Demin është e parealizueshme. Ai për KTV-në, ka thënë se as për 15 vjet nuk do të mund t’i punësonte gjithë këta njerëz, pasi niset nga fakti se që nga paslufta u punësuan në të gjitha nivelet dhe sektorët pak më shumë se 200 mijë vetë.

E realizimi i këtij premtimi, sipas profesorit universitar të Ekonomisë, Muhamet Sadiku, do të mund të bëhej vetëm me një shkop magjik, apo me një bum ekonomik dhe një ndërrim të gjithë klasës politike dhe sistemit ekonomik.

Njohësit e ekonomisë sukses do ta quanin nëse cilido nga partitë që vjen në pushtet do të mund t’u sigurojë punë atyre që diplomojnë.

Ndërkohë edhe Banka Botërore ka hedhur poshtë të gjitha premtimet që po i bëjnë liderët, transmeton KTV.