Premtime të përmasave Olimpike

Isa Mustafa ka bërë premtime olimpike sot. Tha se do ta ndërtojë stadiumi të ri me standarde të FIFA'së në pjesën veriore të Kryeqyetit, si dhe një Pishinë Olimpike në Gërmi.

Lajme

04/10/2013 12:25

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kryetar të Prishtinës, Isa Mustafa, premtoi sot ndërtimin e një stadiumi të ri në Kryeqytet, në pjesën veriore të tij.

Në një aktivitet të organizuar nga LDK për rini dhe sport, në pishinën e Gërmisë, ai tha se gjatë mandatit të tij komuna ka ndarë mjaftueshëm subvencione për të rini e për rekreacion.

“Këto subvencione për programet e të rinjve arrijnë shumën prej 400.000 euro”.

“Ju e dini se ne kemi rreth 107 klube sportive në komunën e Prishtinës, prej tyre janë rreth 12 klube sportive të femrave të cilat janë përkrahur shumë deri më tash nga Drejtoria e Kulturës dhe Komuna. Ne do të vazhdojmë që ta rrisim subvencionin për këto projekte”.

“Për periudhën e ardhshme 4 vjeçare do të ndërtojmë një Stadium futbollistik në pjesën veriore të vendit, i cili do të bëhet sipas standardeve të FIFA’së. Ne e kemi përcaktuar lokacionin dhe mendojmë që ndërtimin e këtij stadium ta bëjmë përmes partneritetit publiko-privat”.

“Po ashtu, parashohim të ndërtojmë edhe 30 qendra rekreative në zonat rurale, gati në të gjitha fshatrat e komunës së Prishtinës”.

“Një investim i dobishëm do të jetë ndërtimi i pishinës olimpike këtu në Gërmi. I kemi bërë të gjitha përgatitjet, është bërë projekti dhe mbetet që tani të sigurohet vetëm buxheti inicial, në mënyrë që vitin e ardhshëm  të nis ndërtimi i kësaj pishine”.

“Një investimi i rëndësishme për ne është edhe Aneksi i Pallatit të Rinsë, në pjesën veriore të Pallatit, të cilin po ashtum parashohim ta bëjmë me partneritet publiko-privat”.