Premtime për treg

Agim Çeku premton se do të jetë partner i bizneseve, në mënyrë që komuna të jetë ajo që organizon këtë treg. Tha se do ta zhvendosë dhe modernizojë tregun e qytetit.

Lajme

26/10/2013 17:09

As për të blerë, as për të shitur por për të bërë fushatë.

Kandidati i PDK’së për Kryetar të Prishtinës, Agim Çeku, vizitoi tregun me shumicë në Prishtinë ku u takua me tregtarë të ndryshëm, nga të cilët kërkoi mbështetje.

Çeku e vlerësoi të rëndë gjendjen në këtë treg, ndërsa premtoi përmirësim të kushteve dhe ulje të taksave.

Nga ata tregtarë me të cilët u takua, mori mbështetje.

Kandidati i PDK’së për Kryetar të Prishtinës më pas foli për gjendjen në këtë treg.

“Unë e pash një gjendje jo të mirë këtu, një ndikim shumë të vogël të komunës këtu”, tha ai.

Çeku premtoi se do të jetë partner i bizneseve, në mënyrë që komuna të jetë ajo që organizon këtë treg, ndërsa dha edhe premtime konkrete.

“Në radhë të parë, tregu nuk do të zhvendoset nga këtu, e dyta do të investojmë në infrastrukturën më të mirë të tregut këtu, dhe e treta do t’i rishqyrtojmë taksat që ata i paguajnë të jenë sa më të përballueshme për tregtarët”.

Ai u takua edhe me përfaqësuesit e shoqatës së tregtarëve të cilët e informuan për problemet në treg. Çeku tha se tregu është shumë i paorganizuar, ndërsa premtoi rritjen e kapaciteteve të kompanisë komunale “Tregu” në Prishtinë që ta menaxhojë këtë treg dhe të gjitha tregjet tjera.