Premtime për politika më të favorshme për investitorët e huaj

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa mori pjesë sot ceremoninë e inaugurimit të Fabrikës për prodhimin e ambalazhit fleksibil plastik KIVO L.L.C., në magjistralen Kaçanik-Ferizaj. Ai uroj për këtë investim të rëndësishëm për Kaçanikun dhe më gjerë.

Lajme

30/03/2015 19:46

Kryeministri Mustafa, duke iu drejtuar të pranishmëve, tha se ky investim është një shenjë e mirë e zhvillimit ekonomik jo vetëm për këtë pjesë, por edhe për Kosovën.

“Është një argument që njerëzit të cilët kanë iniciativë, të cilët janë të vyeshëm, të cilët komunikojnë me njerëzit në Evropë, mund të bëjnë punë shumë të mira, mund të sjellin projekte të mira. Dhe, po ashtu, mund ta thonë të vërtetën për Kosovën, se këtu ka një ambient në të cilin mund të investohet, ka një ambient të mirë të biznesit, të cilin do ta bëjmë edhe më të mirë së bashku me juve që jeni sot këtu, dhe të cilët keni investuar në Kosovë. Ka një ambient i cili do të pasurohet edhe me investime të tjera, të cilat do të jenë investime përcjellëse karshi këtyre që po vijnë dhe kanë ardhur në Kosovë””, tha Mustafa.

KM-2 (1)

Kryeministri tha se Qeveria do të lehtësojë maksimalisht investimet e drejtpërdrejta në vend, për çka do të përshtaten politikat fiskale, të cilat do t’iu japin mundësi bizneseve që në vitet e para të biznesit ta kenë më të lehtë të punojnë.

“Po ashtu, do të krijojmë ambient të mirë të biznesit në pikëpamje edhe legale, por edhe në pikëpamje të bashkëpunimit ekonomik, qoftë në regjione tjera këtu në vend, qoftë edhe me shtete tjera, të cilat neve na përcjellin, dhe do të mundohemi maksimalisht që Kosova të ecën përpara sepse prioritet themelor e kemi zhvillimin ekonomik, hapjen e një vendi të punës, dhe këto 50 vendet e reja që po hapen dhe për 80 që mund të shtohen më tutje, janë vlera të veçanta për Kosovën”, tha kryeministri, duke shtuar se asgjë në Kosovë sot nuk është më e çmuar sesa një vend pune, dhe asnjë kontribut më i madh Kosovës sot nuk mund t’i jepet sesa punësimi i një njeriu të ri.

KM-3 (1)

Me këtë rast, Kryeministri ka falënderuar për kontributin që miqtë nga Holanda dhe qeveria holandeze po japin për Kosovën, duke uruar shumë suksese dhe që kësaj iniciative t’i bashkëngjiten edhe vepra tjera në Kosovë. (lajmi.net)