Premtime për gruan punëtore

Kandidati i LDK'së për Kryetar të Prishtinës, Isa Mustafa, premton përkrahje për gratë ndërmarrëse, të cilat thotë se po ia zbardhin fytyrën Prishtinës.

Lajme

09/10/2013 13:30

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të fushatës elektorale, vizitoi “Qendrës Tregtare të Grave”, ku premtoi mbështetje dhe hapësirë më të madhe për gratë të cilat zhvillojnë biznese të vogla dhe të mesme

Ai u ka dhënë përkrahje grave që merren me ndërmarrësi, me të cilat ka bërë edhe një fotografi të përbashkët.

“Gratë ndërmarrëse po na e zbardhin fytyrën edhe në Prishtinë, edhe në komunat tjera, sepse ju nuk po dorëzoheni përballë këtyre problemeve me të cilat po ballafaqohen bizneset kosovare”.

“Në Prishtinë vetëm 11 për qind i kemi biznese të grave dhe dominojnë bizneset e meshkujve. Prej të punësuarve janë vetëm për qind të grave të moshës së punës të punësuara, të  tjerët janë meshkuj. Këta janë indikatorë të cilët ne duhet t’i ndryshojmë në favor të grave”.

“Me bizneset e grave ne po mbulojmë disa fusha të cilat nuk mbulohen nga bizneset e burrave, siç është prodhimi i ushqimeve, kultivimi i artizanaleve, kultivimi i luleve, kemi produkte të cilat do të harroheshin sikur mos të kishim gra shumë të vyeshme”.

Mustafa tha se përkrahja e komunës për gratë biznesmene ka qenë nëpërmes subvencioneve, përmes krijimit të hapësirave për organizimin e panaireve të ndryshme, ku gjatë katër viteve të shkuara janë mbështetur rreth 30 panaire të produkteve, duke bashkëpunuar me OJQ;të që grumbullojnë gratë në këto fusha.

Kryetari aktual i Prishtinës, po ashtu, është pajtuar me kërkesën e grave për gjetjen e një hapësire për vendosjen e qendrës së grave e cila aktualisht është me qira.

“Në mandatin e ardhshëm jemi duke i kushtuar kujdes punësimit dhe zhvillimit ekonomik. Deri më tani ne kemi kaluar një periudhë emergjente në Prishtinë, kemi investuar në shkolla, në mjekësi, s’kemi më investime në objekte por në pajime, kemi investuar në rrugë dhe neve na lirohen një sasi e buxhetit për ta orientuar në aspektet zhvillimore, biznese të grave, biznese të të rinjve dhe bujqësi”.