Prek fundin gjykimi i të akuzuarit se u prezantua rrejshëm si zyrtar i Komunës

Gjykimi ndaj të akuzuarit për mashtrim dhe paraqitje të rremë si zyrtar, Enver Zhjeqit, po i afrohet fundit.

Lajme

16/10/2018 10:05

Në gjykimin e Zhjeqit në Gjykatën Themelore në Prishtinë është dhënë fjala përfundimtare.

Prokurorja e rastit Javorka Përlinçeviq në fjalën përfundimtare i kërkoi Gjykatës që të akuzuarin ta dënojë për veprat penale të cilat i vihen në barrë, pasi që sipas saj, gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, pas administrimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, pa mëdyshje është vërtetuar se i akuzuari i ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet.

“Pas administrimit të provave padyshim është vërtetuar se i akuzuari Enver Zhjeqi ka kryer veprën penale – mashtrim si dhe veprën penale prezantimi i rremë si person zyrtar. Prandaj Prokuroria i propozon Gjykatës që në bazë të provave të njëjtin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprat penale për të cilat akuzohet”, tha prokurorja Përlinçeviq.

Fjalën përfundimtare të prokurores e përkrahu edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Ali Beka, duke shtuar se ai do të fokusohet në kërkesën për kompensim të dëmit për të cilin tha se ka arritur vlerën mbi 53 mijë euro.

“Unë do të fokusohem në kërkesën pasurore juridike. Konsideroj se është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se Enver Zhjeqi ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën prej 53 mijë e 590 euro në emër të mashtrimit me punët që gjoja ai do t’i kryejë për marrjen e lejes”, tha avokati Beka, i cili e përfaqëson palën e dëmtuar, përkatësisht familjen Reka.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Skender Musa, e kundërshtoi fuqishëm aktakuzën e Prokurorisë për të cilën tha se nuk është e bazuar në prova por vetëm në deklaratat e të dëmtuarve.

“Gjatë këtij procesi gjyqësor në të gjitha seancat dhe në aktakuzë jemi dëshmitarë që nuk kemi pasur asnjë provë të siguruar nga organi i aktakuzës, përkundrazi në kundërshtim nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës, të gjitha provat janë mbledhur nga pala e dëmtuar dhe janë dorëzuar në Prokurori”, tha avokati i Enver Zhjeqit.

Ai për të mbrojturin e tij deklaroi se nuk i ka kryer veprat penale për të cilat e akuzon Prokuroria.

“Sa i përket veprës penale të mashtrimit nuk është paraqitur asnjë element i kësaj vepre penale, pasi i mbrojturi im nuk e ka mashtruar asnjë nga të dëmtuarit ai vetëm i ka kryer punët nga punëdhënësi. E sa i përket veprës penale paraqitja e rreme si person zyrtar, asnjëherë nga asnjë nga të dëmtuarit nuk kemi dëgjuar që kanë përmendur ndonjë dokument që i mbrojturi im ua u ka paraqitur për t’u prezantuar si person zyrtar i Komunës së Prishtinës”, deklaroi avokati Skender Musa.

Avokati Musa i kërkoi trupit gjykues që në mungesë të provave të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuzat që i vihen në barrë nga Prokuroria.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 19 tetor.

Enver Zhjeqi akuzohet se nga shkurti i 2012-ës deri në shkurt 2013 në Prishtinë, me qëllim që të përvetësojë sende të huaja dhe të përfitojë materialisht e ka mashtruar familjen e Burim Rekës.

Sipas aktakuzës, Enver Zhjeqi është prezantuar si person ndërlidhës i investitorëve “M&R Invest” dhe ka nënshkruar kontratë me kompaninë “inTECH”, me qëllim të pjesëmarrjes, bashkëpunimit, zhvillimit dhe realizimit të projektit të banimit kolektiv në lagjen Tophane të Prishtinës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pas kontaktit me familjen e Burim Rekës, i akuzuari ka shprehur interesim që të jetë pjesë e projektit me investitorët “M&R Invest”, ku të njëjtëve u ka thënë së mund t’ua rregullojë lejen e ndërtimit në afat shumë të shkurtër, për shkak të qasjes si zyrtar i Komunës, edhe pse nuk ishte zyrtar komunal.

Në aktakuzë thuhet se Enver Zhjeqi ka përfituar nga familja Reka 59,590 euro.