Prej tre orësh Kosova pa rrymë, kaos e pakënaqësi tek qytetarët

Gjysma e territorit të Kosovës tashmë prej më shumë se tre orësh ka mbetur në terr nga mungesa e energjisë elektrike.

Lajme

02/03/2018 17:29

Më herët gjatë ditës në një komunikatë të lëshuar nga KEDS-i është bërë e ditur se në mënyrë të paplanifikuar ka rënë nga sistemi njësia B2 e Termocentralit Kosova B, raporton lajmi.net.

Mirëpo, këto ndërprerje të energjisë elektrike kanë shkaktuar kaos dhe pakënaqësi tek qytetarët e Kosovës.

Në Prishtinë në mungesë të energjisë elektrike janë defunksionalizuar semaforat e qytetit duke shkaktuar kështu kaos në trafik, dhe pritje të gjatë të qytetarëve për të arritur në destinacion.

Ndërkaq, në Gjakovë raportohet se tashmë prej pesë orësh ka mungesë të energjisë elektrike duke shkaktuar pakënaqësi dhe frustrim te qytetarët.

Edhe në Mitrovicë raportohet se që nga mesdita qyteti ka mbetur pa rrymë, ku vetëm një lagje e këtij qyteti tashmë është në dritë.

Rikthimi në funksion i njësisë B2 pritet të bëhet pas orës 18:00./Lajmi.net/