Preferon Qeveri nga Opozita

Ramush Haradinaj nuk e përjashton mundësinë e një koalicioni AAK-PDK. Por, thotë se preferon që Qeveria e ardhshme të formohet nga opozita, nëse kjo është e mundur. Sërish tha se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme nuk është e mirë për vendin.

Lajme

29/09/2013 14:36

Ramush Haradinaj mendon se do të ishte shumë më e shëndetshme për demokracinë që krijimi i Qeverisë së ardhshme të bëhet nga Opozita.

Kështu ka deklaruar ai, në një konferencë për media, pas kthimit nga vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por, gjërat nuk dihet si do të rrjedhin deri në kohën e  mbajtjes së zgjedhjeve nacionale. Dhe, nëse do të jetë e mundur që Opozita të formojë Qeverinë e ardhshme.

Lideri i AAK’së ka edhe një opsion tjetër për Qeverinë e re pas zgjedhjeve nacionale. Nuk e përjashton mundësinë e një koalicioni me PDK’në e Hashim Thaçit.

“Ne e kemi lënë hapur mundësinë pas zgjedhjeve. Kuptohet, ne preferojmë të bëjmë një Qeveri nga Opozita, në rast se do të ishte e mundur. Kjo do të ishte preferenca jonë.”

“Pas zgjedhjeve, do të presim si do të vendosin qytetarët. Mendoj që është më e shëndetshme për Kosovën një Qeveri nga Opozita”.

“Shpresoj që AAK të fitojë shumicën e votave në Kosovë dhe me ndonjë partner të mundshëm opozitar ta formojë Qeverinë. Do të ishte më e shëndetshme për vendin.”

Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi kanë ndarë së bashku rrugën për në SHBA, në një aeroplan. Një javë më parë, ndërkaq, kishin ndarë një mëngjes në Tiffany, në Prishtinë. Kureshtja nuk është shuar nga qëndrimi i tyre në New York, ku ata janë takuar sërish në darkën e shtruar nga Këshilli Shqiptaro Amerikan.

Haradinaj sqaron se vizitat e tyre ishin të ndara.

“Vizita ka qenë ndaras. S’kemi pasur takime të përbashkëta. Kemi marrë pjesë në darkën e përbashkët. Por, asnjë takim zyrtar nuk kam pasur të përbashkët me Kryeministrin, me ndonjë palë të vendit.”

“Unë kam përfaqësuar një subjekt politik që është opozitar, i cili e ka vizionin e vet qeverisës. Kuptohet deri atje s’kam shkuar që të ankohem në asnjërin në Kosovë. Por, kam shkuar për të shpjeguar se çka dua të bëj në Kosovë, si dua që ta bëj dhe si dua që ta ndërroj qeverisjen në vend”.

“Kam pasur rast që të shihem me Kryeministrin, por këto ishin takime që jemi këtu apo diku tjetër, por jo takime të përbashkëta.”

Haradinaj ka komentuar edhe mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Ai deklaroi se AAK nuk qëndron keq si subjekt politik. Sipas tij, ka një rritje të përkrahjes për Aleancën.

“Problemin e kemi te kualiteti i zgjedhjeve. Është rrezik  që të shkohet për 45 ditë në zgjedhje. Vetë KQZ na thotë se po të bëhen ashtu, janë të përshpejtuara, do të jetë rrezik a do të jenë ato zgjedhje apo ndonjë operacion tjetër.”

“Nuk besoj  se është në të mirën e Kosovës që të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ne  kemi problem me zgjedhjet e fundit që janë përfolur mjaftueshëm për dëmtimet që kanë ndodhur.”

“Meqenëse kemi kalendar zgjedhor për vitin që vjen dhe 4 deri 6 muaj është afati për t’i bërë gati zgjedhjet qysh duhet. Do të ishte më mirë që të merrej vesh spektri politik, në kuadër të bisedave për reformën zgjedhore, për ta caktuar datën. Mund të jenë në pranverë, mund të jenë në vjeshtë, por duhet të paktën 4 muaj kohë që të përgatiten.”