Prania e Thaçit dhe humbja eventuale e Serbisë, e lënë Vuçiqin pa shkuar në Elbasan-Arena

Prania e mundshme e ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, e cila ende as nuk është konfirmuar dhe as nuk është mohuar prej stafit të tij, si duket po e frikëson Vuçiqin, që sipas raportimeve të fundit ka zgjedhur të mos udhëtojë për në Elbasan-Arena.

Lajme

07/10/2015 20:00

Humbja eventuale e Serbisë përballë Shqipërisë, ku pjesë e saj janë shumica kosovarë, në rast se në stadium do të ishte edhe kundërshtari më i madh politik i Vuçiqit në arenën ndërkombëtare, që dihet botërisht se është Thaçi, njëherësh edhe lideri më i urryer në Serbi, gjithsesi që do të rezultonte edhe me humbje të shkëlqimit politik të kryeministrit serb si lider në Serbi. Në të kundërtën, në rast të fitores, do të rritej edhe më shumë pëlqyeshmëria për Vuçiqin te populli serb.

“Ky gjithsesi që është vendim i vështirë për njerëzit që përkujdesen për imazhin politik të Vuçiqit dhe si duket ata kanë vendosur që të mos rrezikojnë. Një humbje eventuale e kombëtares së Serbisë në tokën shqiptare, në prani të dy liderëve më të mëdhenj të popullit shqiptarë, do të ishte edhe një humbje e madhe politike për Vuçiqin në sytë e popullit serb, prandaj edhe kryeministri i Serbisë nuk pritet të udhëtojë nesër për në Elbasan-Arena”, thotë një burim brenda diplomacisë shqiptare, për Telegrafin.

“Mendoj që sikur të mos përflitej ardhja e Hashim Thaçit dhe që ai të mos shprehte gatishmëri publike për ardhje në Elbasan-Arena, Vuçiqi do të vinte, sepse humbja eventuale nuk do të ndikonte shumë në prodhimin e pakënaqësive të popullit serb mbi Vuçiqin si politikan. Këtë e them, duke u nisur nga raportet e relaksuara që kanë tashmë me kryeministrin Rama, por që e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe në raport me ish-kryeministrin Thaçi”, thotë ai.

Sipas tij, sipas informacioneve që ka diplomacia shqiptare, Vuçiqi ka marr këshilla edhe prej këshilltarëve të tij ndërkombëtar që e kanë ndihmuar gjatë fushatës zgjedhore, që të mos shkojë nesër për ta shikuar fizikisht lojën ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë në Elbasan-Arena. E, derisa Vuçiqi si duket nuk do të udhëtojë nesër për në Shqipëri, e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe për zëvendëskryeministrin Thaçi.

Ai para disa ditësh ka thënë se ndeshja që Serbia do të zhvillojë kundër Shqipërisë, është në njëfarë mënyre edhe ndeshje futbollistike me Kosovën dhe një hap tjetër drejt njohjes së Kosovës. “Do të shoh nëse agjenda e angazhimeve të mia do të më lejojë të udhëtoj për në Elbasan Arena. Edhe nëse nuk do të jem atje me trup, do të jem patjetër me mendje dhe me zemër”, ka deklaruar Thaçi. /Telegrafi/