Pranga turkut në Rinas, tentoi të korruptojë policin

Policia Kufitare e Shqipërisë në Rinas ka arrestuar dje një shtetas turk për korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike, si dhe për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.

Lajme

18/10/2015 09:53

Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se në pranga përfundoi shtetasi Husamettin Yildiz, 40 vjeç, i lindur në Turqi e banues në Ferizaj të Kosovës. Sipas policisë, 40-vjeçari, më datë 16 janar 2015 është nisur nga Aeroporti i Stambollit për në Rinas me linjën e fluturimit “P. A.”, i pajisur me pasaportë turke dhe leje qëndrimi kosovare, shkruan Shekulli, transmeton lajmi.net.

Ai shoqëronte një familje turke prej pesë anëtarësh. Sipas policisë, shtetasi turk, pasi ka kaluar kontrollin policor ka shkuar pas kabinës së punonjësit të Policisë Kufitare në Rinas dhe i ka futur në kabinën ku operonte katër qese që kishin brenda çanta dhe objekte makijazh femrash, duke i kërkuar favorin që të linte të kalonte pa probleme familjen turke prej pesë anëtarësh që ndodhej në radhë për regjistrim pas tij në kabinën e hyrjes për në Shqipëri. Punonjësja e policisë kufitare në vijim ka paraqitur kallëzim pasi ka rënë në kontakt me aktin e mitdhënies dhe tentativës për korruptim.

Nga hetimi në vijim rezultoi se Husamettin Yildiz ka shoqëruar me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit familjen e mësipërme që i ka marrë në dorëzim në qytetin e Stambollit nga dy shtetas Turq, dhe do t’i shoqëronte deri në Prishtinë në një hotel që njëri prej shtetasve turq kishte rezervuar për familjen. Policia thotë se anëtaret e familjes turke deklarojnë se i kanë paguar në Stamboll shtetasit turk me emrin Haçi një sasi prej 5.000 euro që ai të gjente një person që do t’i çonte deri në Gjermani ku ishte edhe destinacioni i tyre final me motivin e kërkesës për azil dhe në vijim Haçi dhe një shtetas tjetër turk i kanë prezantuar me Husamettin Yildiz, i cili do të bënte shoqërimin e tyre. ndërkohë, për familjen turke u mor masa e “Refuzimit të Hyrjes në Kufi” dhe më pas janë kaluar në zonën e transitit të Aeroportit të Rinasit për t’u kthyer në drejtim të Aeroportit të Stambollit, Turqi./lajmi.net