Pranga policit, shërbëtor të Habilajve

Festim Lelaj, 44 vjeç, e ka nisur karrierën në polici duke ardhur njëherësh me nisjen e punës së ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Lajme

06/12/2017 07:57

Në vjeshtën e vitit 2013 do të vendosej në sektorin e kufirit, në linjën e hetimit dhe bashkë me një tjetër të kërkuar, Sokol Boden, do të vendoseshin nëpër pikat kyçe ku pritej të niste aktiviteti i trafikut të kanabisit. Të dhënat hetimore tregojnë se emërimet e këtyre dy personave, njëri në kufirin e Vlorës dhe tjetri në Dhërmi ndodhen në një ditë, ndërsa u tha se të dy ishin emërime të vetë Artan Habilajt, vëllait të Moisiut dhe kushëririt të ish-ministrit. Lelaj qëndroi në këtë detyrë shumë kohë derisa thuhet se ai vendosi të mos punonte më për emëruesit e tij e për pasojë ndodhi edhe krisja e madhe mes tij e drejtuesve të policisë e për pasojë ai u zhvendos në Fier atje ku edhe mbrëmjen e djeshme është vënë në pranga me urdhër të vetë Krimeve të Rënda.

Festim Lelaj, 44 vjeç, bëhet me dije se është në hetim prej shumë kohësh, ndërkohë që ai akuzohet se është jo vetëm personi të cilit i përket ajo sasi droge por madje edhe njeriu i besuar i Habiljave bashkë me tre oficerë të tjerë policie, të cilët kanë qenë të shpërndarë nëpër pikat kyçe të kufirit në Vlorë. Tre prej tyre janë në pranga, hetim dhe kërkim, ndërsa një tjetër, i cili gjendet në Tiranë në një funksion të aneksuar, gjendet në hetimet e Antimafias italiane, në dosjen e Katanias. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka bërë me dije se janë arrestuar tre persona, ndërsa kohë më parë kanë qenë të prangosur edhe disa persona të tjerë, që kanë patur lidhje pikërisht me kapjen e kësaj sasie droge që mbeti në portin e Durrësit me gjithë kamion më shumë se 1 muaj në pritje për tu nisur. Të dhënat flasin se kanë qenë autoritetet italiane që kanë mbajtur nën vëzhgim dhe përgjim personat që ishin në pritje të mallit në Itali.

Operacioni Një tjetër drejtues i lartë policie arrestohet si i dyshuar për përfshirje në trafikun e lëndëve narkotike Shqipëri-Itali. Mbrëmjen e djeshme me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të rënda është prangosur nën/komisari i Policisë së Fierit, Festim Lelaj, në vijim të hetimeve për 2.5 ton drogë të trafikuar me kamion drejt Italisë në janar të këtij viti, ngarkesë e cila u kap në Ankona. Ai është transportuar në drejtim të Tiranës, ndërsa do të merret në pyetje nga kolegët e tij gjatë ditës së mërkurë. Nën/komisari i policisë pritet të dalë përpara gjykatës së Krimeve të Rënda ditën e enjte, ku do të njihet me masën e sigurisë. Mbi Festim Lelajn rëndojnë dy akuza, ajo për shpërdorim detyre dhe trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Krahas, drejtuesit të hetimi lartë të policisë së Fierit, Prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimi edhe për dy persona të tjerë, Skënder Siceqa dhe Arbi Mustafa. Ndërsa kohë më parë janë prangosur edhe Demo Progonati, Euron Hoti, Malton Lleshi dhe Aurel Lazaj, të cilët tashmë hetohen me masë e sigurimit arrest në burg.

Njoftimi i Krimeve të Rënda

Është hetuar prej shumë kohësh pasi ka ardhur një sinjal i qartë nga Katania për të verifikuar grupin që kishte të bënte me kalimin e një sasie droge prej 2.5 ton kanabis në drejtim të Ankonës. Në muajin mars dhe prill, policia ndërhyri dhe arrestoi disa persona të tjerë por që asnjëherë nuk u tha se ishin pjesë e këtij grupi kriminal, për shkak se ende nuk kishte filluar të hetohej Tahiri dhe Habilajt. Referuar të dhënave që janë bërë zyrtare mbrëmë bëhet me dije se komisari i policisë është në një sërë pamjesh filmike që gjenden në dosjen e Katanias si i përfshirë në trafikun e drogës nga Vlora në drejtim të Italisë. Zyrtarisht Prokuroria bëri me dije se një operacion i Prokurorisë për Krime të Rënda përfundoi me ndalimin e disa personave, përfshirë edhe një oficer të lartë policie, i cili konsiderohet në rolin e organizatorit, të dyshuar si përgjegjës për trafikimin e 2.5 ton lëndë narkotike kanabis nga porti i Durrësit në drejtim të Italisë, ngjarje e ndodhur në janar 2017-s.

Prokuroria për Krime të Rënda nisi hetimin, pasi autoritetet italiane në Ankona zbuluan një kamion me lëndën narkotike, i cili drejtohej nga shtetasi shqiptar Dhimo Koraj. Në bazë të informacionit fillestar, të përcjellë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë nga homologët italianë, Prokuroria për Krime të Rënda zhvilloi hetimin. Bazuar në veprimet procedurale, deri më tani është arritur të identifikohen dhe arrestohen apo ndalohen disa persona, të cilët dyshohen se janë pjesë e këtij grupi të strukturuar kriminal. Fillimisht, janë arrestuar para pak kohësh shtetasit Demo Progonati, Euron Hoti dhe Malton Lleshi, të cilët tashmë hetohen me masë e sigurimit arrest në burg. Gjatë hetimit është vendosur caktimi i masës sigurimit arrest në burg për shtetasin Aurel Lazaj, masë e cila është ekzekutuar para pak ditësh. Ndërkohë është nxjerrë urdhër-ndalimi për shtetasit Festim Lelaj, aktualisht nën/ komisar në Komisariatin e Fierit, Skënder Siceqa dhe Arbi Mustafa, të cilat janë ekzekutuar nga policia!

Oficeri, në drejtim të Tiranës

Pasi u ndalua Festim Lelaj është transportuar në drejtim të Tiranës, ndërsa do të merret në pyetje nga kolegët e tij gjatë ditës së mërkurë. Nën/komisari i policisë pritet të dalë përpara gjykatës së Krimeve të Rënda ditën e enjte, ku do të njihet me masën e sigurisë. Mbi Festim Lelajn rëndojnë dy akuza, ajo për shpërdorim detyre dhe trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Krahas, drejtuesit të lartë të policisë së Fierit, Prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimi edhe për dy persona të tjerë, Skënder Siceqa dhe Arbi Mustafa. Ndërsa kohë më parë janë prangosur edhe Demo Progonati, Euron Hoti, Malton Lleshi dhe Aurel Lazaj, të cilët tashmë hetohen me masë e sigurimit arrest në burg. Progonati ishte edhe personi që u tha se ishte transportuesi i lëndës narkotike. Ai u ndalua nga mesi i janarit dhe u la në arrest me burg. Ndërsa bëhet me dije se ai disa herë ka kërkuar të mos jetë nën këtë masë sigurimi pasi mjeti me të cilin ai po udhëtonte kishte kaluar në skaner në Durrës dhe se nuk ishte ai përgjegjës për ç`ka kishte brenda kamioni!