Praktika e keqe e ndarjes së posteve

Përpjekja e treshes për të krijuar qeveri të re po shihet si legjitime, por jo edhe si precedent i mirë.

Lajme

29/07/2014 09:34

Njohësit e çështjeve politike kanë thënë për gazetën Tribuna se praktika kur kryeministri vjen nga një parti e vogël, nuk është e qëlluar. Kjo sipas tyre krijon kryeministër që nuk është i pavarur.

LDK-AAK e Nisma janë bërë bashkë për të krijuar qeverinë që do të linte anash partinë fituese të zgjedhjeve PDK-në.

Por kandidati i tyre për kryeministër nuk është nga partia me më së shumti vota, e që është LDK-ja, por nga AAK-ja e Ramush Haradinajt, që në zgjedhje i mori vetëm nëntë për qind.

Dren Doli nga Klubi për Studime Politike e Juridike ka thënë se, kryeministri duhet të reflektojë vullnetin e elektoratit.

Ai ka thënë se formimi i qeverise dhe kryeministri duhet të jetë gjithsesi refleksion i fuqisë politike të individit brenda parlamentit, por edhe brenda elektoratit.

“Nëse shndërrohet në praktikë që në Kosovë, çdo qeveri të formohet nga individët të cilët insistojnë që të kenë gjithsesi pozicionin e kryeministrit, pa marrë parasysh rezultatin zgjedhor, nuk është praktikë e mirë”.

“Partitë e vogla, duke ditur që kanë mundësi të kushtëzojnë koalicionin për shkak të një numri të vogël të votave, atëherë kjo e shkatërron edhe më tutje mënyrën se si duhet të zhvillohet qeverisja në Kosovë”.

“Pra, unë besoj që është një praktike negative për Kosovën, që partitë e vogla të kushtëzojnë me poste të rëndësishme partitë e mëdha të cilët kanë fituar mbështetjen më të madhe të qytetareve”, ka thënë Doli.