Pozitivisht në Këshillin e Sigurimit

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB’së u cilësua pozitive situata në Kosovë. Kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic paraqitjen pikëpamjet për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit. Thaçi kërkoi zgjerimin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Lajme

10/02/2014 22:09

Mbledhja e Këshillit të Sigurimi të Kombeve të Bashkuara është karakterizuar kryesisht me paraqitjen e pikëpamjeve të dy Kryeministrave, Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic, lidhur me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit.

Kryesuesi i UNMIK’ut, Farid Zarif, ka paraqitur raportin tremujor, i cili është cilësuar pozitiv.

 

Thaçi fton për njohje

Në fjalimin e tij, Kryeministri Thaçi ka paraqitur të arriturat në fushën e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit si dhe miratimin e Rezolutës së Parlamentit Europian për nisjen e negociatave me BE’në për arritjen e Marrëveshjen së Stabilizim Asociimit.

Ai ka folur edhe për situatën ekonomike në vend, situatën pas zgjedhjeve lokale, si dhe për hapat në ndërkombëtarizimin e sportit Kosovar.

Thaçi u ka bërë thirrje edhe një herë anëtarëve të KS të OKB’së që nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë atë.

“Miratimi i Rezolutës në Parlamentin Europian, i cili hap negociatat për arritjen e Marrëveshje së Stabilizim-Asociimit, i hap rrugë edhe njohjeve nga 5 shtetet e BE’së që nuk kanë njohur Kosovën”.

“Pas pak ditësh Republika e Kosovës do të festoj 6-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së saj, të njohur tashmë nga 105 vende prej të gjitha kontinenteve të botës, i falënderoj të gjitha shtetet që e kanë njohur shtetin e Kosovës dhe gjithashtu iu bëj thirrje vendeve të tjera, duke përfshirë anëtarët e KS të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, që të marrin ketë hap dhe të bashkohen me botën demokratike në përkrahjen e Kosovës si anëtar i barabartë dhe i plotë i bashkësisë ndërkombëtare”.

“Integrimi i Republikës së Kosovës në Bashkim Europian është synimi ynë parësor dhe i pa-alternativë, si rrugë e modernizimit dhe konsolidimit të rajonit në familjen evropiane”.

“Ne jemi duke zhvilluar negociata me Komisionin Europian për të përcaktuar përmbajtjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe të sigurojmë lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë në vendet e Bashkimit Europian, përkatësisht zonën Schengen – si dy procese kontraktuale dhe komplementare për shoqërinë e Kosovës”.

“Si rezultat i punës së madhe të Qeverisë dhe mbarë shoqërisë, Parlamenti Europian në një rezolutë ka përgëzuar Kosovën për arritjen e një sërë reformash të rëndësishme politike, administrative dhe ekonomike nga autoritetet dhe populli i saj, si dhe përafrimi i legjislacionit vendor me atë të Bashkimit Europian dhe rritja e kapaciteteve për adresimin e prioriteteve të procesit të integrimit evropian, të dala nga studimi i fizibilitetit të Komisionit Evropian.”

“Me rëndësi për popullin e ri të Kosovës është se pjesërisht mori fund edhe izolimi prej më shumë se 2 dekadash ndaj sportistëve të Kosovës ku FIFA, ka arritur mirëkuptimin që Republika e Kosovës të zhvillojë ndeshje ndërkombëtare”.

“Ndërsa zhvillime akoma më të mira kemi nga Federata Europiane e Hendbollit, që i lejon Kosovës të zhvillojë ndeshje ndërkombëtare pa kushtëzime”, ka deklaruar në fjalën e tij Kryeministri Hashim Thaçi.

 

Ankesat e Dacic

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ndërkaq, ka kërkuar nga KS i OKB’së që të marrë kompetenca në punën e EULEX’it. Ai ka fajësuar Prishtinën zyrtare se nuk po i zbaton marrëveshjet e arritura gjatë dialogut.

“Problemet për statusin mendoj se nuk do të duhej që t’i pengojë qytetarët e Kosovës në zgjidhjen e problemeve teknike, ashtu siç ka penguar Prishtina vite më radhë”.

Ai ka folur për çështjen e sulmeve të disa serbëve të kthyer në Kosovë, duke kërkuar që të krijohen kushte dhe siguri për kthim.

Dacic gjithashtu është shprehur kritik lidhur me materialin zgjedhor gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, të cilin ai e quan pjesërisht neutral ndaj statusit, si dhe për përmbajtjen e listave zgjedhore.

“Materialet zgjedhore kanë qenë vetëm pjesërisht neutrale ndaj statusit”.

“Freskimi i listave zgjedhore është imperativ për zgjedhjet e ardhshëm, pasi që një numër i serbëve të zhvendosur nuk janë regjistruar gjatë zgjedhjeve të kaluara”.

“Nuk mund të harrojmë që të cekim se ka pasur incidenteve që janë bërë gjatë raundit të dytë”.

“Vrasja e një kandidati i ka shtuar frikë këtij rajoni për të marrë pjesë në zgjedhje”.

“Stabilitetit nuk i kontribuon as arrestimi i kandidatit Oliver Ivanovic. Nuk ka akuza të specifikuar, por vetëm përmes dëshmitarëve. Qeveria e Serbisë kërkon shpjegime të qarta për arsyen e arrestimit të Oliver Ivanovic, Dragoljub Delebasic”.

Kreu i Qeverisë së Serbisë ka folur edhe për statusin e Kombinatit Trepça, duke thënë se i është ndryshuar pa pajtimin e Serbisë.

“Ne kemi marrë informacione për ndryshimin e statusit të Trepçës i cili është në pronësi të Serbisë”.

“Ky është një veprim i njëanshëm nga ana e Prishtinës për të tjetërsuar pronat serbe. Ne besojmë që edhe kjo do të jetë temë e negociatave”.

“Sa i përket punës së EULEX, nuk duhet të anashkalojë vëmendjen e Këshillit të Sigurimit”.

“Nëse EUELX do të jetë nën mbikëqyrjen e UNMIK’ut, atëherë ai duhet të punojë në përputhje me pikat e Ban Ki-Moon”.

“Çdo reduktim i trupave të EULEX’it duhet të jetë çështje që duhet të diskutohet në dialog”.

Dacic ka kërkuar hetim për çështjen e trafikimit të organeve.

“Gjatë konfliktit dhe më pas, një numër i madh i serbëve janë rrëmbyer, u janë marrë një pjesë e organeve dhe janë liruar”.

“Ashtu siç ka bërë Serbia për t’i dënuar krimet, ashtu duhet edhe trafikimi i organeve”.

 

Farid Zarif, UNIMK: Zbatim i marrëveshjeve në disa fusha

Kryesuesi i UNMIK’ut në Kosovë, Farid Zarif, ka prezantuar raportin 3 mujor të Ban Ki-Moon’it, duke e cilësuar si pozitiv.

“Sa i përket marrëveshje për gjyqësorin, edhe pse nuk është përmbushur e tëra, janë bërë biseda në Bruksel për këtë në çështje”.

“Janë disa probleme që janë paraqitur për gjatë zgjedhjeve, si vrasja e Dimitrie Janjicevic para shtëpisë së vet, por ende nuk janë gjetur fajtorët”.

“Është edhe vrasja e pjesëtarit të EULEX’it”.

“Mirëpo, ka zbatim të marrëveshjeve në disa fusha”.

“Mbledhja e të hyrave në pika kufitare dhe marrëveshje tjera që kanë pasuar”.

“Beogradi ka ofruar të dhënat e para kadastrale, dhe kjo ka shënuar fillimin e konsolidimit të të dhënave në Kosovë”.

“Zgjedhjet lokale, janë pasuar me një sukses në konsolidimin e qeverisjes lokale, përveç në Komunën e Mitrovicës së veriut ku vendimit për mos mbajtjen e betimit të cilat kanë shkaktuar mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme”.

 

SHBA: Njiheni Pavarësinë Kosovën

Ambasadorja e SHBA’ve në KS të OKB’së, Rosmarie Di Carlo, ka vlerësuar përkushtimin e institucioneve në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, ndërsa u ka bërë thirrje anëtarëve të KS që ta njohin Kosovën.

“SHBA uron Kosovën për një raund të ri zgjedhjeve të suksesshme në komunat me shumicë serbe”.

“Ne i thërrasim të gjithë liderët që të përkrahin dialogun. Përkrahja e dialogut mbetet qenësore për stabilitetin në rajon”.

“Mbetët shumë për t’u bërë në implementim në të gjithë atë që është diskutuar”.

“Ne përshëndesim vizitën e Kryeministrit Thaçi në një familje serbe për Krishtlindjet Ortodokse Serbe, e cila mund të ndikojë në kthimin e familjeve të zhvendosura”.

“Ne përshëndesim fillimin e negociatave të Kosovës në MSA dhe të Serbisë për anëtarësim në BE”.

“Ne inkurajojmë të gjithë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën që t’u bashkohen këtyre shteteve tjera të KS që e kanë bërë këtë”.

 

Rusia: Përfshirja e kosovarëve në luftën e Sirisë është e dëmshme

Përfaqësuesi i Rusisë, Vitalij Chirkin, edhe një herë ka treguar qëndrimin e tyre këtij vendi për Kosovën. Ata i kanë bërë thirrje misionit të UNIMK’ut në marrjen e kompetencave në disa fusha.

“Ne besojmë qe Rezoluta 1244 do të jetë baza ligjore për rregullimin çështjeve në Kosovë”.

“Ne ftojmë që ky mision që të fokusohet në adresimin e shumë sfidave siç janë mbrojtja e pakicave dhe të tjera”.

“Ne përkrahim dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit që ka rezultuar formimin e komunave në Veri të vendit. Pa një angazhim të tillë nuk do të ketë progres në vend.”

“UNMIK duhet dhënë mbështetje tek EULEX’it të cilët nuk kanë mundësi që të merren me të gjitha çështjet të cilat janë nën kompetencën e UNMIK’ut.”

“Përfshirja e shqiptarëve në luftën në Siri është e dënueshme dhe kthimi i tyre do të mund të ketë një kërcënim për situatën në Ballkanit Perëndimor që do të ishte sfidë edhe për BE’në”.