Pozitivisht e befasuar me zgjedhjet

Ulrike Lunacek thotë se zgjedhjet në Kosovë, me përjashtim të veriut, kanë qenë shumë më të mira se ato të mëparshmet. Këto zgjedhje, sipas Raportueses së Parlamentit Europian për Kosovën, kanë qenë shumë më të përgatitura.

Lajme

05/11/2013 10:15

Raportuesja e posaçme e Parlamentit Europian për Kosovën, Ulrike Lunacek, thotë se zgjedhjet lokale kanë shënuar një përparim të madh, në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

Lunacek thotë se zgjedhjet në Kosovë, me përjashtim të veriut, kanë qenë shumë më të mira se ato të mëparshmet.

Në intervistë për DW, Lunacek thotë se në përgjithësi, nëse i krahasojmë këto zgjedhje me ato të vitit 2010, në pjesët jugore të lumit Ibër, janë shënuar përparime të mëdha.

“Këto zgjedhje kanë qenë shumë më të përgatitura, si në aspektin njerëzor ashtu edhe teknik”.

“Edhe në këto zgjedhje ka pasur përpjekje për frikësimin apo influencimin e zgjedhësve, por strukturat kanë qenë shumë më të përgatitura dhe më të organizuara”.

“Në terren ka pasur rreth 50 prokurorë, të cilët kanë ndërhyrë në rastet e nevojshme dhe kanë mbajtur nën masa arresti dhjetra persona të dyshuar për parregullësi të ndryshme. Kjo ka funksionuar shumë mirë dhe për këtë jam e gëzuar”.

Lunacek thotë se kur i krahason këto zgjedhje me ato të fundit, mund të thuhet se zgjedhjet e së dielës janë organizuar shumë më mirë.

“Kjo ka të bëjë edhe me faktin që në vendvotime kanë qenë prezentë edhe përfaqësuesit e të gjitha partive politike, pra edhe të opozitës. Vëzhguesit kanë qenë shumë të përgatiur dhe kjo është shumë pozitive”.

“Ajo që më ka befasuar pozitivisht është se asnjë parti politike nuk e ka kontestuar rezultatin e zgjedhjeve”.

“Në shumë komuna do të ketë balotazh, por interesante është që jo në të gjitha komunat kanë fituar kandidatët për të cilët është menduar se do të fitojnë. Ky është një proces i domosdoshëm demokratik që dëshmon se shumë gjëra janë organizuar më mirë se sa më parë”.

Lunacek duke folur për procesin zgjedhor në pjesën veriore, thotë se zgjedhjet kanë dështuar vetëm në ato vendvotime në veri të Mitrovicës, ku procesi është ndërprerë me dhunë.

“ Në vendet e tjera zgjedhjet janë zhvilluar relativisht mirë. Ndaj në vendet e tjera, sipas informacioneve të deritanishme që kam, zgjedhjet mund të shpallen legale dhe të vlefshme. Pra nuk do të thosha se zgjedhjet kanë dështuar në tërë veriun e Kosovës. Në Mitrovicë po”.

“ Sipas disa vlerësimeve deri në ora 15:00 kishin votuar mes 12 e 14 % të votuesve. Eshtë pritur që të ketë edhe më shumë votues, deri në 20 %, që do të thotë se ka serbë të cilët janë të gatshëm të marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës dhe të jetojnë në këtë vend”.

“Për fat të keq, ajo që ka ndodhur në mbrëmje, ku disa radikalë kanë sulmuar vendvotimet me gaz lotësjellës dhe me dhunë fizike i kanë dëmtuar kutitë e votimeve e ka dmëtuar rëndë procesin zgjedhor në këtë pjesë. Po të mos ishin këto incidente, pjesëmarrja në votime do të ishte edhe më e lartë. Kjo duhet të sqarohet deri në fund, sepse pak a shumë dihet se kush janë këta persona”.

“Ata janë pjesëtarë të strukturave kriminale në veri, të cilat janë krijuar vitet e fundit, si pasojë e mungesës së veprimit të organeve të shtetit juridik. Shpresoj se ata do të kapen dhe do të arresohen dhe se gjëra të tilla nuk do të përsëriten kurrë”.