Posta e Kosovës fut shërbimin për blerje e shitje në internet

Qytetarët dhe bizneset e Kosovës së shpejti do të kenë mundësi të shfrytëzojnë shërbimin e-Commerce të Postës së Kosovës. Ndërtimi i këtij shërbimi të ri është bërë i mundshëm në saje të përkrahjes nga Posta Turke.

Lajme

29/07/2014 19:26

Pas konsultimeve intensive mes eksperteve të dy kompanive, sot është nënshkruar marrëveshja për e-Commerce nga kryeshefi ekzekutiv i Postës, Sejdi Hoxha, dhe kryetarit të Bordit dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Postës Turke, Osman Tural.

“Shërbimi e-Commerce, përkatësisht tregtia në internet, do të ju mundësojë qytetarëve të Kosovës që të blejnë, por edhe të shesin mallra të llojllojshme, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Këtë mundësi për blerje dhe shitje do ta kenë edhe bizneset kosovare. Ato mund t’i plasojnë dhe promovojnë produktet e tyre në tregun online që do ta ofrojë Posta e Kosovës përmes Postës Turke”, ka thënë Hoxha.

Për transportin e mallrave të blera ose të shitura do të përkujdeset Posta, e cila do t’i shpërndajë mallrat në adresën që e përcakton konsumatori.

Blerjet online në Kosovë janë shtuar dukshëm, sidomos këtë vit. Mijëra qytetarë blejnë mallra në tregun online të shteteve të ndryshme, por këto mallra nuk vijnë direkt në Kosovë, por përmes Postës Shqiptare.

Ndërkaq, shërbimi e-Commerce do të mundësojë që mallrat të vijnë direkt në Kosovë, gjë që do të ulë edhe koston e shërbimit, që do të jetë më i shpejt sesa deri tash.

“Të gjitha mallrat e Kosovës mund të plasohen në tregun turk dhe në tërë botën”, ka thënë Tural. Ai shtoi se dyert e Postës Turke mbesin të hapura për Postën e Kosovës në mënyrë që nga bashkëpunimi i ndërsjellë të përfitojnë të dy kompanitë dhe qytetarët e të dy vendeve.