Portieri i Skënderbeut me premtim të madh për tifozët

Portieri i Skënderbeut, Orges Shehi, ka bërë të qartë se do të vazhdojë karrierën e tij meqë skuadra u kualifikua në fazën në grupe të Ligës së Europës.

Sport

24/08/2017 22:42

“E kam thënë edhe herë të tjera që është një kënaqësi e madhe, ishim kualifikuar edhe më parë, por me këtë rrugë të gjatë dhe këto skuadra nuk na kishte dhënë kaq emocione sa sot. Duke parë stadiumin ishte kënaqësi e gjithë shqiptarëve. Unë brenda fjalës jam, Europa vazhdon. Në dhomat e zhveshjeve përshëndetëm Latifin se ikën, Osmani tha të përshëndesim Gesin, po jemi ende në Europë”, tha ai për “SuperSport”, transmeton PanoramaSport.

“Pritjet e mia? Eksperienca të ndihmon, mposhten emocionet, në ndeshje të tilla dëshiron që loja të vazhdojë sa më shumë. Janë fryte pune e stërvitjeje, me Bozhiqin stërvitemi përditë, jo sikur lë futbollin nesër, por ta filloj. Kjo është një nga arsyet pse jemi në gjendje të mirë”, tha Shehi që beson se ekipi mund të bëjë më shumë në grupe

“Skuadra do të bëjë maksimumin, jemi skuadër e mirë, më skuadër se kurrë, vrapojmë shumë. Ka qenë një verë shumë e lodhshme, tetë takime me udhëtime shumë të gjata, edhe pse grupi e shorti do të jetë i fortë. Ne do të bëjmë maksimumin e pse jo të marrim, pikë në grup”.