Portieri i PSG-së ka një lajm të keq për Buffonin

Gianluigi Buffon nuk do të ketë punë të lehtë në rast të transferimit në Paris Saint-Germain.

Sport

05/06/2018 12:46

“Kam luajtur në huazim për tre sezone dhe kam pritur momentin tim. Tani titullar te PSG jam unë”.

Kështu e “mirëpret” Alphonse Areola nënshkrimin e mundshëm të Gigi Buffonit me kampionët e Francës. Pasi i dha lamtumirën Juventusit, klub me të cilin luajti për 17 sezone radhazi, portieri legjendar italian pret vendimin e UEFA-s për sjelljen e tij ndaj gjyqarit në gjysmëfinalen e kthimit të Championsit me Realin e Madridit, për të zyrtarizuar më pas kalimin e tij në kryeqytetin e Francës. Presidenti Al Khelaifi i ka ofruar kontratë 2-vjeçare me pagë 8 milionë euro në sezon, por Areola nuk ka ndërmend t’ia lëshojë vendin e titullarit.

“Nëse do të ekzistojnë mundësitë për të luajtur në vazhdimësi te PSG, nuk do të hezitoj ta bëj. Objektivi im është të vazhdoj të luaj, të fitoj trofe dhe të rritem me këtu bashkë me këtë klub. Çdo futbollist duhet të ketë objektiva, ambicie dhe ëndrra.”

Duke lënë mënjanë rivalitetin e mundshëm Areola-Buffon, PSG duhet të arkëtojë nga shitjet deri 90 milionë euro brenda qershorit, për të rregulluar disi bilancin e klubit dhe për t’i shpëtuar ndëshkimit nga UEFA në zbatim të rregullave të Fair Play-it Financiar.