Portali kroat heq komentet

\"Pothuajse është bërë rregull që komentet të shprehin qëndrime çmendurake, të sëmura dhe ofenduese të një pjese të lexuesve\", thuhet në njoftimin e portalit Net.hr.

Lifestyle

06/11/2013 16:50

Net.hr, njëri ndër portalet më të fuqishme në Kroaci, ka vendosur ta largojë mundësinë e komentimit të shkrimeve.

Përmes një komunikate, portali i ka njoftuar lexuesit për ndryshimin e bërë.

“Pothuajse është bërë rregull që komentet të jenë në shërbim të shprehjes së qëndrimeve çmendurake, të sëmura dhe ofenduese të një pjese të lexuesve. Të ballafaquar me një situatë të tillë, kemi vendosur që komentet e lexuesve në këtë formë t’i kufizojmë në mënyrën më të skajshme – duke i hequr ato krejtësisht”.

“Ndonëse natyra e portalit është që të ndërveprojë me lexuesit, në 95 për qind të rasteve kjo mundësi reduktohet në ofendime të mëdha”.

“Për t’i mbrojtur lexuesit e edukuar dhe konstruktivë nga agresiviteti i panevojshëm, më nuk do të ketë komente përfundi shkrimeve. Prej tash, lexuesit që dëshirojnë të komentojnë do të mund ta bëjnë këtë përmes email adresës zyrtare, kurse redaksia do të vendosë se cilat komente do t’i  publikojë”.