Pompeo – Thaçit: Të shfrytëzohet mundësia e papërsëritshme për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në vizitën e tij zyrtare në SHBA, është takuar edhe me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo.

Lajme

27/11/2018 08:31

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), përmes një njoftimi për media ka njoftuar në lidhje me takimin ndërmjet Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, shkruan lajmi.net.

Në komunikatën e DASH-it, thuhet se sekretari Pompeo ka përgëzuar presidentin Thaçi dhe popullin e Kosovës për hapat e mëdhenj që kanë bërë në dhjetë vjetet e pavarësisë.

“Sekretari Pompeo inkurajojë Kosovën të shfrytëzon këtë mundësi të papërsëritshme për arritjen e marrëveshjes historike dhe gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në komunikatën e DASH-it, transmeton lajmi.net.

Më tej, sekretari Pompeo ka theksuar se normalizimin i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është rruga e vetme për të qartësuar të ardhmen perëndimore të të dyja shteteve.

Presidenti Thaçi, sot gjatë ditës pritet të zhvillojë një takim me John Bolton, këshilltarin për siguri kombëtare të presidentit Trump si dhe takime me kongresmen dhe senatorë.

Në anën tjetër presidenti i vendit Hashim Thaçi, pas këtij takimi ka deklaruar se ishte një takim i mirë dhe se SHBA-të mbështesin marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi.

“Ishte një takim i mrekullueshëm me sekretarin Pompeo, patëm një bisedë të shkëlqyer. Shtetet e Bashkuara të Amerikës konfirmuan edhe një herë mbështetjen e plotë, të fuqishme për mundësinë e arritjes së marrëveshjes paqësore, përfundimtare të përhershme mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, me mundësinë e njohjes reciproke, të zëvendësimit të Rezolutës 1244 dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB). Ishte konkludim i përbashkët por edhe mesazhi i sekretarit Pompeo se kjo marrëveshje sjell edhe më tepër paqe dhe stabilitet edhe në Kosovë edhe në Serbi, por edhe në rajonin, që do të hap prospektivë evropiane të shpejt konkrete për të dyja vendet dhe popujt tanë. Prandaj siç kemi qenë deri më tani edhe më tutje do të ecim bashkërisht dhe në koordinim të plotë institucionet e shtetit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Konfirmimi dhe mbështetja e plotë dhe e fuqishme e sekretarit Pompeo për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi, pra të dialogut dhe negociatave dhe inkurajimi që kjo marrëveshje të arrihet sa më shpejt që është e mundur është edhe një impuls tjetër edhe për mua si president i vendit, për institucionet e Republikës së Kosovës të gjitha pa dallim për fuqizimin e rolit tonë të brendshëm arritjen e një konsensusi sa më të gjerë politik dhe përmbylljen e këtij procesi në një rrugë shumë transparente, efikase të implementuar. Prandaj SHBA-të kanë qenë, janë dhe do të mbesin plotësisht të përkushtuara për arritjen e marrëveshjes paqësore Kosovë-Serbi”, ka thënë presidenti Thaçi pas takimit. /Lajmi.net/