Pompeo publikon sot strategjinë e re të SHBA-së për Iranin

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo pritet që më 21 maj të njoftojë lidhur me strategjinë e re amerikane për Iranin.

Bota

21/05/2018 09:19

Ky njëherësh do të jetë fjalimi i tij i parë i madh prej kur ka fituar pozitën muajin e kaluar.

Pompeo do të theksojë “rrugën diplomatike” për arritjen e marrëveshjes së rë bërthmore me Iranin.

Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë javën e kaluar se qasja e re synon të krijojë një “kornizë të kërcënimeve që vijnë nga Irani”.

Fjalimi i Pompeos vjen dy javë pasi presidenti amerikan, Donald Trump ka tërhequr njëanshëm SHBA-në nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 që Irani ka me fuqitë botërore.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se Pompeo është konsultuar me ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë para fjalimit të tij.

Ndonëse pa praninë e SHBA-së, vendet e tjera nënshkruese janë zotuar se do ta ruajnë marrëveshjen.

Përveç Gjermanisë, Francës dhe Britanisë, nënshkruese të marrëveshjes janë Kina dhe Rusia.