Pompeo në Turqi për çështjen e gazetarit të zhdukur saudit

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo u takua të mërkurën me zyrtarë të lartë turq, duke përfshirë Presidentin Rexhep Tajip Erdogan, pas deklaratave të udhëheqësve sauditë, të cilët thanë se do t’i tregojnë të gjithë botës" rezultatet e një hetimi të plotë rreth zhdukjes së një gazetari saudit me banim në SHBA.

Bota

17/10/2018 20:08

 Pompeo nuk ka bërë asnjë koment publik për bisedimet e tij me Presidentin Erdogan apo me Ministrin e Jashtëm Mevlut Çavusoglu para largimit nga Turqia.

Departamenti i Shtetit lëshoi një deklaratë ku thuhej se zoti Pompeo “shprehu shqetësimin e Shteteve të Bashkuara lidhur me zhdukjen e Jamal Khashoggit dhe përsëriti gatishmërinë amerikane për të ndihmuar Turqinë në hetimin e saj”.
Khashoggi, një kritik i monarkisë saudite që shkruante për gazetën Washington Post, u pa për herë të fundit më 2 tetor duke hyrë në konsullatën saudite në Stamboll.
Zyrtarët turq kanë thënë se agjentët sauditë e kanë vrarë Khashoggin. Zyrtarët sauditë thonë se ai doli nga konsullata vetë.

Gazeta Wall Street Journal njoftoi të martën vonë se operativët sauditë e rrahën dhe e droguan Khashoggin, pastaj e vranë dhe ia copëtuan trupin. Gazeta thoshte se zyrtarët turq u kanë dhënë zyrtarëve sauditë dhe amerikanë dëshmi, duke përfshirë detajet e një regjistrimi zanor.

Zoti Pompeo u tha gazetarëve të mërkurën para se të shkonte në Turqi se në takimet e tij me mbretin saudit Salman, princin e kurorës Mohammed bin Salman dhe ministrin e Jashtëm Adel al-Jubeir, theksoi nevojën për një hetim të plotë dhe mori garanci se një hetim i tillë do të bëhej.

“Ata u angazhuan gjithashtu për të mbajtur përgjegjës çdo njeri të lidhur me çfarëdolloj vepre penale, pavarësisht nëse janë oficerë ose zyrtarë të lartë”, tha zoti Pompeo.
I pyetur nëse kjo vlente edhe për anëtarët e familjes mbretërore, zoti Pompeo tha se udhëheqësit sauditë “nuk bënë përjashtime se cilin do të mbanin përgjegjës”.

Zyrtarët turq kanë identifikuar 15 persona të dyshuar që ata thonë se shkuan në Stamboll dhe hynë në konsullatë ditën kur Khashoggi u zhduk. New York Times dhe Washington Post njoftuan të martën vonë se disa njerëz nga kjo listë janë të lidhur me shërbimet saudite të sigurisë dhe me princin e kurorës.

Associated Press citoi gjithashtu një zyrtar të lartë turk që thoshte se gjatë një hetimi në konsullatën saudite, hetuesit turq gjetën prova për vrasjen e Khashoggit, por nuk dhanë hollësi të mëtejshme. Reuters tha se hetuesit gjetën “prova të forta”, por asnjë dëshmi përfundimtare për vdekjen e Khashoggit.

Zoti Pompeo tha se po pret që udhëheqësit sauditë të vënë në jetë premtimet e tyre për një hetim të plotë.

“Ata më dhanë fjalën dhe ne të gjithë do të shohim nëse ata nuk e mbajnë premtimin,” tha ai.

Presidenti i SHBA, Donald Trump kritikoi dënimin në rritje të Arabisë Saudite në një intervistë me agjencinë e lajmeve Associated Press.

“Po bëni përsëri të njëjtin gabim, duke e quajtur tjetrin fajtor deri sa të provohet i pafajshëm,” tha Presidenti Trump.
Ndërsa zoti Pompeo ishte në Arabinë Saudite, zoti Trump, në Uashington, shkruante në

Twitter, “Për dijeni, unë nuk kam interesa financiare në Arabinë Saudite (ose Rusi, meqë ra fjala). Çdo aluzion për të kundërtën është thjesht LAJM I RREMË (nga të cilat ka shumë)!”

Por gjatë një fjalimi fushate në vitin 2015, zoti Trump u mburr për marrëdhëniet e tij të biznesit me sauditët: “Arabia Saudite, unë shkoj mirë me të gjithë ata. Ata blejnë apartamente nga unë, shpenzojnë 40 milionë, 50 milionë dollarë. A duhet të mos i pëlqej? Më pëlqejnë shumë.”