Politikanët kosovarë: Kush po thotë se referendumi grek duhet të merret shembull e kush budallaki

Referendumi grek ku iu tha JO reformave të propozuara nga BE dhe FMN, nga një pjesë e politikës kosovare po shikohet me simpati dhe po kërkohet që ai të jetë një shembull që duhet ndjekur edhe në vendet tjera europiane. Por, jo të gjithë mendojnë kështu. Ka nga ata që këtë referendum po e vlerësojnë si një budallaki, dhe atë po e krahasojnë me referendumin e Serbisë për Kosovën, në kohën e Sllobodan Millosheviqit.

Lajme

06/07/2015 11:05

Qeveria e majtë greke e cila po kundërshton gjithë Perëndimin që nga momenti i fitores së zgjedhjeve parlamentare është parë me simpati nga lëvizja majtiste kosovare, Lëvizja Vetëvendosje, shkruan lajmi.net.

Kjo simpati është shprehur hapur edhe dje për referendumin grek, nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

I pari i kryeqytetit kosovar që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se shembulli grek i demokracisë duhet ndjekur në gjithë Europën.

Por krejtësisht ndryshe e sheh këtë referendum, ish kundërkandidati i Ahmetit për kryetar të Prishtinës nga AAK, Besnik Tahiri.

Ai thotë se ky referendum është një budallaki.

Lexoni të plotë statuset e postuara në Facebook, nga Ahmeti dhe Tahiri: 

Shpend Ahmeti: 

Shpend Ahmeti

Pa marrë parasysh se a jeni për apo kundër masave shtrënguese të përcaktuara nga Evropa për Greqinë, sot një popull po vendos vetë për fatin dhe opcionet para vetës ne krizë e frikë të madhe nga secili opcion. 

Dikush mund ta quaj këte largim nga përgjegjësia të qeverisë greke, por sot e gjithë Evropa po shikon kah Greqia vendimin në referendum të popullit grek. Në fakt do të ishte mirë një referendum edhe në shtetet Evropiane mbi kushtëzimet e vendosura nga bankierët ndërkombëtar. Demokracia do të ishte e plotë. 

Në ora 21 do të kuptojmë se a është Nai apo Ohi, Po ose Jo dhe kjo do të përcaktojë shumë gjëra ditëve të ardhshme, por po bëhet me demokraci direkte. Të gjithë të tjerët mund të mos e respektojmë vendimin përfundimtar por megjithate duhet të kemi respekt për mundësinë që populli grek e ka sot, ta thotë fjalën e vetë. 

Besnik Tahri: 

Besnik Tahiri

Referendumi grek do të mbahet në mend si një ndër ‘budallakitë’ më të mëdha që mundet me bë një komb! Ky veprim është i ngjajshëm me referendumin e Sllobës në vitin 98 për Kosovën. (lajmi.net)