Politika kundër Shtetit

Nuk ka të vërtetë politike, as një të vetme, që sot bashkon politikanët e Kosovës dhe deputetët e partive dhe entiteve politike në Kuvendin e Kosovës.

Opinion

21/12/2016 16:06

Të paramendojmë edhe këtë situatë, në Kuvendin e Kosovës.
Ndodhë mrekullia. Astrit Dehari ringjallet, dhe vjen në Kuvendin e Kosovës, këtë të martë, me 20 dhjetor, për të treguar, nga foltorja e këtij Kuvendi, çfarë i ka ndodhur atij, me 5 nëntor, në Qendrën e paraburgimit në Prizren.
Nuk ka prej kujt të thuhet më qartë e vërteta e asaj dite, se sa prej vet atij.
Të mos ngutemi me konkludime të llojit: Të gjithë deputetët e pranishëm mirëpritën rrëfimin e tij dhe i dhanë fund debatit për këtë ngjarje gjithqysh të rëndë dhe tragjike për këtë vend.
Diçka e tillë nuk do të ndodhë, madje dhe në rast të mrekullisë së ringjalljes së tij.
Nuk do të qetësoheshin dot, as në atë rast, ‘shpirtërat’ në politikën kosovare.
Do të kishte deputetë që do ta kontestonin, edhe në këto rrethana krejtësisht të jashtëzakonshme, autenticitetin e rrëfimit të tij. Do të ngriteshin ca të tjerë dhe do të thonin që kemi të bëjmë me një kipc a dytës së tij, që është inskenuar dhe përgatitur në shërbim të dikujt. Do të kërkohej një ekspertizë ndërkombëtare e figurës së tij, ashtu siç ka dalë në Kuvendin e Kosovës.
Në fund, edhe kjo seancë do të përmbyllej në rrëmujë, megjithë rrëfimin e dorës së parë për një të vërtetë aq të duhur për të gjithë ne.
Ringjallja, e dimë të gjithë, klasifikohet si një mrekulli, tek besimtarët.
Në këtë kontekstin tonë kosovar, të fundvitit 2016-të, më para mund të ndodhë një ringjallje e mirëfilltë e një njeriu, se sa dakordimi, në Kuvendin e Kosovës, të qëndrimeve për një çështje të vetme. Nuk ka të vërtetë politike, as një të vetme, që sot bashkon politikanët e Kosovës dhe deputetët e partive dhe entiteve politike në Kuvendin e Kosovës.
Politikanët e Kosovës nuk i bashkon më e vërteta për shtetin e Kosovës, si një përmbyllje të çështjes shqiptare në Kosovë.
Politikanët e Kosovës nuk i bashkon më as e vëteta për domosdoshmërinë e drejtimit evro-atlantik të Kosovës.
Politikanët e Kosovës nuk bëhen së bashku as në interpretimin e vlerave të Demokracisë Liberale.
Politikanët e Kosovës nuk janë në një linjë a në një vijë, as kur mirren me interpretimin e ngjarjeve sportive, me përfaqësuesen e Kosovës.
Me atë të moçmen në Eskilit, dihet që e vërteta është viktima e parë e çdo lufte, sapo shpërthen ajo. Kush nuk është i interesuar për të vërtetën kur plasë lufta.
Zatën, ne e kemi kthyer këtë politikën kosovare në një fushëbetejë permanente, në një fushatë zgjedhore të vazhdueshme, në një konfrontim Non-stop, duke harruar që politika bëhet për t’i shërbyer shtetit dhe qytetarëve dhe jo anasjelltas, siç po bëhet çdo ditë tek ne.
Theodor Adorno, mendimtari i njohur i ‘Shkollës së Frankfurtit’ të mendimit kritik, në një rast do të shkruajë: ‘Çështja e të vërtetës është reduktuar në çështje të pushtetit…’.
Përkthyer në shembullin e Kosovës, tash e sa vjet, e vërteta në politikë është vetëm një mjet për realizimin e qëllimit që ka të bëjë me pushtetin.
Apo, pushteti është e vërteta e vetme që vlenë në këtë politikën kosovare.
Me apo pa vetëdije, edhe ne në Kosovë kemi hyrë në këtë ‘tregun bashkëkohorë’ të politikës në Perëndim, që njeh si kryefjalë atë konceptin për ‘politikën pas-të-vërtetës’  (‘post-truth politics’).
Kush më nuk mërziten për të vërtetën këndejpari. Apo, ne nuk besojmë më që vetë ne, kështu si jemi dhe çfarë jemi, jemi në gjendje të prodhojmë një të vërtetë të re politike dhe ekonomike për Kosovën, që do të kishte domethënien e stabilizimit të këtij shteti, apo që jemi të gatshëm ta fuqizojmë të vërtetën supreme të të gjithë neve, atë për shtetin e Kosovës, për ne si shqiptarë, si evropianë dhe si perëndimorë.
Jemi të zënë me çështje të tjera, apo, të vërtetën e kërkojmë në lagje politike  dhe në grupe të interesit, në këtë apo atë ngjarje të rëndë, në seancat parlamentare që shquhen me përplasje të të gjitha llojeve.
Kosova e vërtetë po dëmtohet kështu, përditë e më shumë, nga një politikë që nga thuaja të gjitha anët e mundshme, është në gjendje ta sakrifikojë këtë të vërtetë dhe vetë këtë vend, për përmbushjen e interesave të vet, që gjithnjë e më shumë janë në raport të përjashtimit me interesat jetik të këtij vendi dhe të qytetarëve të tij. /Lajmi.net/