Politika kosovare, pa adresë

Në situatën çfarë jemi ne sot, objektivisht, jemi bërë politikë pa adresë institucionale. Sot, Kosova është pa Zot të Shtëpisë.

Lajme

10/10/2014 13:25

Me 8 tetor, të këtij viti, lajmi i ditës është fakti se që katër muaj pasiqë janë mbajtur zgjedhjet e dyta parlamentare që prej se ky vend është bërë shtet i pavarur, Kosova ende nuk ka Kuvend dhe Qeveri.

Për më shumë, askush nuk e di se kur në Prishtinë do të funksionojnë institucionet e reja qendrore të Kosovës.

Me 8 tetor, poqëse këndejpari do të kishte Kuvend dhe Qeveri, lajmi i ditës do të ishte Raporti i përvitshëm i Progresit për Kosovën. Do të analizohej, në detale se çka shkruan Brukseli për ne, si na sheh BE-ja ne si shoqëri, çka kemi bërë krejt në 12 muajt e kaluar, ku ka pasë përparime dhe ku ka pasë ngecje, çka duhet bërë tash e tutje për ta ndryshuar në mënyrë të ndjeshme cilësinë e qeverisjes, për ta bërë Kosovën funksionale në segmentin tepër të rëndësishëm të sundimit të ligjit dhe të luftimit të korrupsionit, për ta ndryshuar gjendjen, në përgjithësi, për të mirë në këtë shtet.

Në situatën çfarë jemi ne sot, objektivisht, jemi bërë politikë pa adresë institucionale, tek e cila do të dorëzohej ky Raporti Progresit.

Sot, Kosova është realisht pa Zot të Shtëpisë.

Vështirë që diçka e tillë ka mundur të imagjinohet pak muaj më parë, para se të ndodhte mësymja e madhe kah zgjedhjet e jashtëzakonshme, të 8 qershorit, me qëllim për të gjetë zgjidhje, si u tha atëherë, për paralizën e vazhdueshme të Kuvendit të Kosovës.

E harruam paralizën e atëhershme. Tash kemi krizë të mirëfilltë politike.

Sidoqoftë, edhe kështu si jemi, do të duhej t’i riktheheshim përmbajtjes së Raportit të Progresit.

Objektivisht, nëse e krahasojmë atë me Raportet paraprake, do të mund të evidencohej një vendnumërim real i politikës dhe i shoqërisë kosovare, apo edhe rritje të lajmeve të këqija që vwnw nw mëdyshje shumëçka në shtetin e Kosovës.

Ta zëmë, në temën shumë të ndjeshme të liberalizimit të vizave, që na bënë të jemi shteti më i izoluar në Evropë, për shkak të një depërtimi të matshëm në përmbushjen e kritereve teknike, nëse tash e tutje nuk do të ketë farë befasie të madhe, dhe nëse natyrisht, do të bëhemi me Kuvend dhe me Qeveri, diku në fundin e vitit 2015 Kosova do të mund ta fitojë këtë të drejtë  (të udhëtimit të qytetarëve të saj në Evropë pa viza). Por, nëse në ndërkohë nuk arrihen suksese poashtu të matshme, në ndalimin e qindra dhe mijëra kosovarëve që ende mendojnë që në Evropë mund të sigurojnë qëndrimin afatgjatë si të strehuar politikë, i gjithë ky mundim mund të shkoj huq. Nuk ka dyshim se cili është motivi kryesor, në mos edhe i vetmi i atyre që ia mësyjnë Evropës sot. Këndejpari nuk ka punë, nuk ka zhvillim të mirëfilltë ekonomik, nuk ka perspektivë, prandaj ndodhë një mësymje e re kah Perëndimi.

Kriteret teknike, siç po shihet këtu, nuk arrijnë dot të mënjanojnë realitetin ekonomik dhe social në vend Nëse kështu, pa pasë fare viza, mbi 20 mijë kosovarë kanë shkuar në Perëndim në kërkim të fatit të ri larg Kosovës, gjithsesi përmes rrugëve ilegale, mund të merret si e kuptueshme droja e Perëndimi që pas liberalizimit të vizave, do të ketë dyndje të mirëfilltë të kosovarëve kah Evropa, me shpresë që mund të gjendet punë për ta. 

Do të duhet shumë punë tash e tutje, prej autoriteteve kosovare, për ta shmangur një rrezik të tillë, i cili me formën që ka sot, do të pamundësojë, këtë duhet thënë fare hapur, që kosovarët ta fitojë të drejtën e udhëtimit në Evropë pa viza edhe në fund të vitit 2015. E ky kërcënim do të reduktohet, fillimisht, në masë të madhe, e pastaj edhe do të mënjanohet, poqëse këndejpari nisë të punohet ndryshe, krejtësisht ndryshe, në udhëheqjen me shtetin, në segmentin kyç të politikës.

Zaten, kjo është porosia kryesore që na vjen kësaj radhe prej Brukselit.

Dhe kjo porosi vlen, objektivisht, për të gjithë ne, si politikë dhe si shoqëri kosovare.

Por duket që në rrethanat e tanishme, mesazhi kryesor i Brukselit nuk do të lë gjurmë ndër ne. Sepse siç e tha me të drejtë Samuel Zhbogar, në ditën kur e dorëzoi këtë Raport, ne gjendemi në një rrugë pa krye.

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)