Politika dhe klanet kanë degraduar edhe sistemin e verifikimit të sigurisë

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka hartuar një raport lidhur me vlerësimin e procesit të verifikimit të sigurisë në Kosovë, i cili sipas tyre, është kompromituar dhe sfiduar në masë të madhe për shkak të implikimeve politike, inviduale e klanore në vendimet për dhënien apo refuzimin e lejes së sigurisë për shërbyesit civil dhe personelin e policisë dhe inteligjencës.

Lajme

03/03/2015 09:16

Sipas një komunikate nga kjo Qendër, procesi i verifikimit të sigurisë përbën një ndër shtyllat më të rëndësishme të sektorit të sigurisë në vend.

“Si rrjedhojë, raporti identifikon defektet në implementimin e Ligjit për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë si dhe dobësitë në definimin e vendimeve për refuzimin e lejeve të sigurisë”.

“Pasojat e brishtësisë së sistemit të verifikimit të sigurisë kanë ndikuar në përplasje në mes të AKI-së dhe Policisë së Kosovës; moszbatim të vendimeve nga një pjesë e kreut të Policisë; mungesë të mbikëqyrjes parlamentare si dhe mosprocedim të lëndëve kontestimore në gjykatat e Kosovës”, thuhet në raport.

“Sistemi i verifikimit të sigurisë është degraduar deri në atë masë sa që edhe Raporti i Progresit i KE-së për vitin 2014 i referohet dobësive në këtë sistem dhe rekomandon tek institucionet e Kosovës (Qeveria e Kosovës, dhe Kuvendi i Kosovës) për fillimin e adresimit të sfidave, me te cilat përballet procesi i verifikimit të sigurisë në Kosovë”.

Shqetësimet për verifikimin e sigurisë, sipas raportit, janë shprehur nga deputetët, personat e verifikuar si dhe ekspertët e sigurisë.

Raporti rekomandon zhvendosjen e Departamentit të Verifikimit të Sigurisë nga AKI.

QKSS ka listuar tre alternativa mbi bazën e së cilave njëra do të duhej të konsiderohej gjatë procesit të ndryshimit të Ligjit për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë:, siç është themelimi i një departamenti në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, themelimi i një departamenti në kuadër të Këshillit të Sigurisë së Kosovës apo themelimi i një drejtorie apo agjencie në kuadër të Kuvendit të Kosovës.