Politika e jashtme dhe roli i qytetarëve

Vendimet në të mirën e bashkësisë ndërkombëtare vlejnë. Kauzat vlejnë. Kështu shpëtoi Kosova. Dhe kështu do të mund të ndihmonte edhe Shqipëria, së bashku me mbështetjen popullore.

Opinion

23/11/2013 06:54

Ngjarja kyçe e javës që shkoi ishte vendimi i Shqipërisë për armët kimike siriane. Kërkesa për shkatërrimin e armëve kimike në Shqipëri, protestat që shprehën kundërshtimin e madh, dhe debati i mendimtarëve për dhe kundër u përmbyllën me vendimin. Kryeministri Rama, Shqipëria, u përgjigj JO, dhe dukej sikur “shumica” – qoftë e njerëzve të rëndomtë apo të politikbërësve – u pajtuan me këtë vendim, si vendimi më i sigurt.

Protestuesit dhe populli ishin ngadhënjyes. Protesta demokratike dhe paqësore peshoi rëndë në vendimin e rëndësishëm për vendin, dhe aktivizmi qytetar tregoi forcën e vet. Ky aktivizëm nuk u ndëshkua, por përkundrazi u mor parasysh nga Qeveria dhe politika.

Por, njerëzit në anën tjetër të debatit pohuan se vendi humbi një shansë për të forcuar lidhjen me SHBA’në. Për të bërë më strategjike këtë lidhje, dhe për të dëshmuar që Shqipëria është vend i vogël, por aleat besnik.

Në marrëdhenie dypalëshe dhe shumëpalëshe ka shumë shkëmbime dhe mundësi bashkëpunimi.

Ky rast, bashkëpunimi për shkatërrimin e armëve kimike siriane, ishte pa dyshim një mundësi e mirë e ngritjes së marrëdhënieve, por kishte rreziqet e tij. Shqipëria nuk ka kapacitetet dhe ekspertizën e nevojshme. Dhe nuk ishte vendi i vetëm që refuzoi këtë gjë, kishte të tjerë. Megjithatë, ndoshta Shqipëria ishte vendi që më së shumti kishte nevojë për miqësinë e nivelit të lartë me Amerikën.

Shqipëria është vend i vogël dhe i varfër – relativ me vendet tjera në Europë – dhe brishtësia e saj politike e bën rrugën e integrimeve jo krejtësisht të qartë. Europa, për më shumë, nuk shihet si shumë entuziaste për zgjerimin në Ballkan dhe pritet që ky proces do të marrë kohë në këtë rajon.

Pra, miqësia me Amerikën është shumë e rëndësishme dhe në çdo hap është përforcues i kërkesave shqiptare në bashkësinë europiane dhe ndërkombëtare.

Kryeministri Rama e potencoi këtë gjë në fjalimin e tij refuzues, duke përdorur shembullin shumë afër zemre për popullin shqiptar: udhëheqjen amerikane në shpëtimin e popullit shqiptar në Kosovë.

“Kjo është pjesa e vështirë e një marrëdhënieje strategjike nga e cila ne, shqiptarët, duhet ta dimë më mirë se shumë të tjerë që kombet dhe vendet marrin më shumë se ç’janë në gjendje të japin. Sepse tamam kjo, është ajo pjesa e vështirë pa të cilën sot Sllobodan Miloveshiçi mund të ishte ende në qafën e gjysmës së kombit tonë”.

Shqiptarët kanë dhe do të kenë raste të tjera të forcimit të marrdhënieve me Amerikën, dhe për të marrë pjesë në nisma ndërkombëtare. Por, përpjekjet e Shqipërisë dhe popullit të saj duhet të dëshmojnë se është një partner i dënjë. Dhe se janë të gatshëm të bëjnë sakrifica e të marrin vendime të vështira në saj të këtij partneriteti.

Shqiptarët kanë përcjellë nga afër vendimin për ndërhyrjen e NATO’s në Kosovë. Ishte një vendim i udhëhequr nga Amerika, i cili u bë pa Rezolutë në OKB. Gjithsesi nuk ishte vendim i lehtë për Amerikën. Presidenti i atëhershëm Clinton shpesherë u pa si i pasigurt deri të marrja e vendimit. Dhe populli amerikan nuk e kuptonte krejtësisht rastin dhe ishte skeptik për nevojën e përfshirjes amerikane në Kosovë.

Clintoni gjithnjë duhej të theksonte se “nuk do të ketë trupa tokësore amerikane në Kosovë”. Trupat tokësore u përjashtuan shumë herët, por Clinton mori vendimin e vështirë për të ndërhyrë me bombardime nga ajri, duke vënë edhe një herë reputacionin ndërkombëtar amerikan në rrezik. Asokohe, në vitet ’90, Amerika përjetoi shumë rëndë ndërhyrjen në Somali, u ndëshkua nga mospërfshirja në Ruanda dhe nga vonesa e ndërhyrjes në Bosnje.

Populli amerikan ndikoi në atë vendim dhe ndikon shumë në vendimet e adminstratave amerikane, dhe në përfshirjen e Amerikës në diplomaci, angazhime dhe luftëra jashtë vendit. Kjo është gjë e mirë – funksionon si një kontroll shtesë mbi fuqinë e pushtetit.

Populli i Shqipërisë dhe ai i Kosovës mund të luajnë të njëjtin rol në vazhdimësi, një rol aktiv në politikën e jashtme, në përfshirjen e vendeve të tyre në angazhime dhe nisma dypalëshe dhe ndërkombëtare.

Por ky rol vjen me përgjegjësi, që herë të thuash Po, e herë Jo. Vendet e vogla përfshihen në luftëra – ofrojnë trupa – dhe kërkohen për bashkëpunime në nisma ndërkombëtare. Qoftë për kufizimin e armëve shkatërrimtare apo për strehimin e popujve refugjatë.

Shpeshherë kostot dukën dhe janë më të mëdha se përfitimet. Nganjëherë kostot janë të tepërta. Përfitimet shihen si shumë të largëta. Populli, dhe jo vetëm pushteti, do të duhet të vendosë.

Vendimet në të mirën e bashkësisë ndërkombëtare vlejnë. Kauzat vlejnë. Kështu shpëtoi Kosova. Dhe kështu do të mund të ndihmonte edhe Shqipëria, së bashku me mbështetjen popullore.

Marrëdhëniet më miqtë e mëdhenj janë mëse të rëndësishme. Pjesëmarrja në nisma ndërkombëtare, shpeshherë të prirë nga Amerika, do t’i forcojë lidhjet me mikun më të madh të mundshëm të shqiptarëve. Edhe këtu qytetarët do të mund të luajnë rolin e tyre.