Policia shpejgon për veprimet e sotme në Kuvend dhe jashtë tij

Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth zhvillimeve të sotme rreth mbajtjes së seancës në të cilën u hodh gaz lotsjellës dhe u arrestuan nëntë deputetë të opozitës.

Lajme

19/02/2016 19:55

Sipas Policisë, referuar rrethanave dhe situatës së krijuar sot në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe jashtë tij, Policia e Kosovës gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore për garantimin e rendit dhe sigurisë, ka ndërmarr veprimet e nevojshme ligjore për identifikimin e personave përgjegjës për kryerjen e veprimeve të kundërligjshme dhe në këtë kontekst për intervistim në polici sipas procedurave ligjore janë shoqëruar deputetë të kuvendit të RKS-së si në vijim:

Palë Lekaj, Besa Baftiu, Donika Kadaj Bujupi, Shqipe Pantina, të cilët dyshohen për kryerje të veprës penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armeve” (gazit lotsjellës), ndërsa deputeti Fisnik Ismaili nën dyshimin se ka kryer vepër penale, “ Pengim i personave zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.

Gjithashtu, gjatë realizimit të detyrave ligjore për garantimin e rendit dhe sigurisë dhe në identifikimin e personave përgjegjës për kryerjen e veprimeve të kundërligjshme, për intervistim sipas procedurave ligjore janë shoqëruar deputetët:

Enver Hoti, Teuta Haxhiu, Mytaher Haskukaj, Rexhep Selimi të cilët dyshohen se kanë kryer veprat penale si në vijim: “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” i sanksionuar nga neni 375 i Kodit Penal të Kosovës

“Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” i sanksionuar nga neni 409 i Kodit Penal te Kosovës

“Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm”  të sanksionuar nga neni 365 i Kodit Penal të Kosovës;

“Mbajtje ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armeve”,  nga  neni 374 i  Kodit Penal të Kosovës

Ndërsa deputetja Albulena Haxhiu është në spital duke u trajtuar pasi është  e alivanosur nga gazi lotsjellës dhe dyshohet për veprat penale si në vijim: “ Sulm ndaj personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armeve”

Gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve policore një zyrtar policor ka marr lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës.

Të gjitha veprimet policore janë ndërmarr dhe po ndërmerren në konsultim me prokurorin kompetent./lajmi.net