Policia të zbulojë tërë rrjetin kriminal në UP

Deputeti Afrim Kasolli thotë se qasja që po ndjek pushteti aktual, po e zhbënë në fundament idenë e Universitetit. Sipas tij, pasojat e kësaj politike rrezikojnë në themel funksionim e shtetit të Kosovës.

Lajme

21/12/2013 14:11

Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur shqetësimin e saj të thellë për zhvillimet e fundit në Universitetin e Prishtinës, pas plasjes së aferës korruptive në Fakultetin e Mjekësisë dhe disa degë të tjera të këtij universiteti.

Profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë, Hatixhe Latifi- Popovci, njëherit anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje, u bëri thirrje organave të hetuesisë që të zbulojnë rrjetet kriminale në mënyrë që t`i kthehet kredibiliteti Universitetit.

“Arrestimet që ndodhën në Universitetin e Prishtinës javën e kaluar janë vetëm një konfirmim i asaj që dihet tashmë një kohë të gjatë – se brenda UP’së vepron një rrjet kriminal që regjistron studentë jashtë konkursit, tregton me provime,  punëson staf akademik nga radhët e atyre që u shërbejnë dhe shumë e shumë keqpërdorime tjera”.

“E tërë kjo ka bërë që UP të shndërrohet në një institucion që të bën të ndjehesh i turpëruar nëse je pjesë e tij, qoftë si student, asistent apo edhe profesor”.

“Institucioni që dikur ishte ‘kështjellë e nacionalizmit’ dhe ‘çerdhe e dijes’, tani është shndërruar në ‘kështjellë të oportunizmit’ dhe ‘çerdhe të injorancës’”.

“Në Universitetin e Prishtinës që nga paslufta strukturat udhëheqëse e sidomos rektorët janë emëruar nga strukturat politike dhe parapolitike”.

“Me rastin e pranimit të studentëve të rinj janë bërë keqpërdorimet më të mëdha dhe kjo gjë veç ka filluar të dëshmohet edhe publikisht e me prova nëpër media”.

“Me rastin e regjistrimit të studentëve, asnjëherë nuk është përfillur kuota e parapërcaktuar nga MASHT, prandaj që nga pas lufta numri i studentëve përtej kuotës është dyfishuar e shpeshherë edhe trefishuar”.

“Komisionet recensuese për zgjedhjen e stafit akademik janë formuar me qellim të zgjedhjes të të preferuarve të strukturave udhëheqëse të dekanatit apo rektoratit, familjarëve e kolegëve të profesorëve recensentë. Një pjesë të kësaj e dëshmon edhe zgjedhja e asistentëve të akuzuar për korrupsion me rastin e këtyre arrestimeve”.

“Fenomeni i  faljes, këmbimit e shitjes së notave nga asistentët e profesorët është bërë dukuri që së bashku me gjithë ato që u cekën më lartë, bëjnë që Universiteti i Prishtinës të jetë “çerdhe e korrupsionit” jo vetëm akademik por edhe ligjor”.

“Prandaj, në këto momente të arrestimit të një numri të të akuzuarve për korrupsion, UP gjendet në një pikë kthese. Të vazhdojë kështu si deri më tani, apo t’i thotë NDAL kësaj mënyre të funksionimit”.

“Deri më tani, organet e universitetit kanë marrë masa ndaj asistentëve të akuzuar, por për ata janë shkruar e nënshkruar recensionet nga profesorët. Cilat kanë qenë përfitimet e profesorëve, çfarë kanë këmbyer për këtë gjë ata? Të gjitha këto duhet analizuar në detaje. Sepse, dy nga asistentët e akuzuar të Fakultetit të Mjekësisë i patën zënë vendin dy të tjerëve që kanë qenë të zgjedhur më herët asistentë e të cilëve u janë pranuar ankesat dhe janë kthyer në fakultet”.

“Prandaj, universiteti ishte dashur të hulumtonte deri në detaje si ka qenë e mundur të ndodhtë një gjë e tillë. Prandaj, Lëvizja Vetëvendosje, i bën thirrje organeve të Universitetit të ndërmarrë masa në zbulimin e të gjitha shkeljeve që janë bërë deri më tani, në secilën hallkë të lartpërmendur nëpër periudha të udhëheqjeve të ndryshme të Universitetit që nga paslufta”.

“Lëvizja Vetëvendosje mbështet çdo aksion ligjor që çon drejt zbardhjes së plotë të së vërtetës dhe sjelljes së personave të inkriminuar para ligjit, por e ka të vështirë të besojë se një rrjet që regjistron studentë me para dhe blen provime, mund të përbëhet vetëm nga asistentë të rinj, persona të sapodiplomuar dhe studentë”.

“Prandaj, kërkojmë nga organet e hetuesisë që të merren me seriozitetin më të madh në zbulimin e tërë rrjetit kriminal brenda universitetit në mënyrë që të rikthehet kredibiliteti i humbur i tempullit te dijes”.

Deputeti nga radhët e kësaj lëvizjeje, Afrim Kasolli, ka thënë se qasja që po ndjek pushteti aktual në drejtim të universitetit të Prishtinës e ka zhbërë fundamentin për idenë e Universitetit.

“Këtë mpleksje të rrezikshme ndërmjet pushtetit dhe strukturave të universitetit, ka kohë që e kanë adresuar edhe përfaqësuesit e organizatës studentore “Studim Kritik dhe Veprim”,  që nga ish rektori Enver Hasani, më pas Mujë Rugova dhe deri te ky i tanishmi, pra rektori Ibrahim Gashi, të gjithë kanë ardhur nga relacione të caktuara klanesh pseudopolitike, gjithmonë në funksion të shtrirjes së pushtetit ndaj universitetit tonë e rrjedhimisht ndaj nesh, studentëve”.

“Lidhjet janë tepër më të thella. Madje një prej të arrestuarve Mevludin Beqiri, kishte qenë edhe kandidat për asamblenë komunale në kuadër të PDK’së, dy të tjerë Arjan Janova dhe Esat Belaj ish-anëtarë të organizatës studentore LSR, pra shihet haptazi që lidhjet me pushtetin janë të forta dhe në funksion të njëra-tjetrës, pra përfitimit personal”.

“Për të ilustruar këtë logjikë më lejoni që të kujtoj vetëm një shembull që kishte ndodhur në kohën kur Universitetin e drejtonte ish Rektori Mujë Rugova. Të gjithëve na kujtohet kur mediat patën publikuar një lajm se si një nga përfitueset e regjistrimit të paligjshëm në Fakultetin e Mjekësisë ishte edhe vajza e dekanit aktual të Fakultetit të Edukimit, Ethem Çekut. Dhe pas këtij rasti ne e pamë se si Ethem Çeku, pas kalimit në PDK, vetëm sa erdhi duke u avancuar në pozitën e dekanit”.

“Pra, në vend se të ndëshkohej për këtë akt nepotist, personi në fjalë vetëm sa u gradua edhe më shumë. Ky fakt besoj se në mënyrë eklatante tregon mendësinë që ka dominuar deri më tani në Universitet”.

“Nuk është me rëndësi abuzimi, shkelja e ligjit, manipulimi; mjafton vetëm lojaliteti ndaj klanit aktual në pushtet dhe atëherë ‘gjithçka është e lejueshme”. Dhe një qasje të tillë në një intervistë televizive e pranoi edhe vetë ish rektori Rugova, duke treguar se si regjistrimet në bazë të njohjeve dhe miqësive personale, ishin shndërruar në një lloj norme gjatë kohës sa ai e administronte këtë institucion”.

“Ndërkaq këtë atmosferë politike sot thuajse nuk e pasqyron asgjë më mirë se sa seria e këtyre mesazheve telefonike që jemi duke i lexuar çdo ditë, ku tregohet se si strukturat menaxhuese të deritanishme e kanë tjetërsuar Universitetin e Prishtinës në funksion të dy pushteteve; atij të një klani politik që aktualisht udhëheq me shtetin dhe të pushtetit të parasë”.

“Me këtë qasje që ka ndjekur pushteti aktual e ka zhbërë në fundament idenë e Universitetit. Lirisht mund të themi se sot në Republikën e Kosovës nuk ka Universitet”.

“Universiteti është i munguar, i mohuar, i pa banuar e populluar dhe aktivisht i ndaluar. Pra fakti se shumë institucione, banesa e pallate mbajnë në ballinën e tyre një emër të tillë, jo vetëm që nuk është kundër-argument, por është vetë shenjë sa më sipër, është kusht i bjerrjes së Universitetit në Idenë e vet”.

“Ekzistenca e sotme ekstensive e universitetit duket sikur është bërë kusht për mosekzistencën intensive të tij”.

“Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, pasojat e kësaj politike sot e rrezikojnë në themel funksionimin e shtetit të Kosovës”.