Policia shkatërron numër të madh të armëve të konfiskuara

Një numër i madh i armëve të vogla dhe të lehta janë shkatërruar nga Policia e Kosovës sot në një ngjarje në “Metal Holding” në Ferizaj.

Lajme

06/07/2017 14:59

Shkatërrimi i armëve u organizua nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe u mbështet nga Zyra Qendrore për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta (SEESAC), Zyra e Jashtme Gjermane dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP).

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Behar Selimi tha se ky është një aktivitet në të cilin Kosova përpiqet të jetë pjesë e iniciativave rajonale për më shumë siguri për qytetarët dhe për më shumë siguri rajonale.

Me këtë rast, ai the se grumbullimi i këtyre armëve është bërë në sajë të punës së kryer nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria.

“Përgëzoj Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë në punën e madhe që e kanë bërë në muajt e kaluar në drejtim të realizimit të Strategjisë Nacionale për Kontrollimin dhe Grumbullimin e Armëve të Lehta dhe të Vogla”, tha zëvendësministri Selimi.

Koordinatorja e Programit të UNDP, Valbona Bogujevci, tha se UNDP është e gatshme që të vazhdojë ndihmën dhe përkrahjen dhe të punojë ngushtë me palët e interesuara në adresimin e sfidave të ngjashme në të ardhmen. Ajo tha se posaçërisht në këto kohë që po jetojmë, armët e tilla dhe eksplozivët po bëhen gjithnjë e më shumë të zgjedhura për sulme terroriste.

Katerina Lopo, përfaqësuese e Bashkimit Europian në Kosovë tha se Strategjia e BE-së për Armët e Vogla dhe të Lehta identifikon Ballkanin Perëndimor si prioritet kryesor dhe për këtë BE është e përkushtuar të përkrahë në mënyrë sistematike partnerët e Ballkanit Perëndimor në luftën kundër trafikimit të armëve.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha, tha se Policia e Kosovës vazhdimisht punon në zhvillimin e kapaciteteve të saja për të pasur sa më shumë sukses në konfiskimin e armëve të jashtëligjshme dhe do të jetë e përkushtuar të largojë mjetet e jashtëligjshme të dhunës nga duart e qytetarëve, sepse ky është element thelbësor që po i kontribuon rendit dhe ligjit dhe sigurisë publike në vend.