Policia për arrestimin e Sali Zybës: Ne zbatuam urdhërin ligjor (Dokument)

Policia e Kosovës, sot pas arrestimit të shefit të inspeksionit në Komunën të Prishtinës, u akuzua nga zyrtarë të kësaj të fundit se po kryente urdhëra politik. Por, Policia përmes një njoftimi bën të ditur se arrestimi i Zybës është kryer me urdhër të Gjykatës të lëshuar më datë 22 të këtij muaji.

Lajme

29/02/2016 15:24

Policia në sqarimin dërguar mediave thotë se më datë 29.02.2016 rreth orës 09:00, konform detyrimit ligjor, policia ka realizuar një mandat arresti të natyrës proceduese të urdhëruar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për sigurimin e prezencës së të pandehurit në shqyrtim gjyqësor.

Urdhëresa e nxjerrë në muajin shkurt të këtij viti, sipas njoftimit të policisë ka specifikuar detyrimin për policinë që të pandehurin posa ta takojë, ta ndalojë, ta arrestojë dhe ta transferojë në Qendrën e Paraburgimit.

Për më shumë të pandehurit më datë 22.02.2016 policia i ka dërguar ftesën zyrtare për paraqitje në Stacionin Policor Qendra në Prishtinë, gjithashtu më datë 23.02.2016 të njëjtin polica e ka kërkuar në shtëpinë e tij, si dhe tri herë të tjera në vendin e punës së tij, porse asnjëherë i pandehuri nuk është hasur nga ana e policisë si dhe vullnetarisht nuk është paraqitur.

Aktualisht policia sipas rregullit po kryen të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për të përmbushur plotësisht urdhëresën e gjykatës.

Në ndërkohë që policia ka ushtruar autorizimet e saj në ketë rast, është penguar nga dy persona të tjerë, të cilët janë arrestuar nga ana e policisë dhe ndaj tyre është iniciuar rasti për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës, thuhet në njoftim, po ashtu pa përmendur emrat e dy punëtorëve të sigurimit të arrestuar, Ditar Canolli dhe Kushtrim Halilaj..

Të njëjtit pas kryerjes së veprimeve të nevojshme nga ana e policisë janë liruar në procedurë të rregullt.