VV: Policia nuk po lejon që familjarët ta vizitojnë Haxhiun në Spital

Lëvizja Vetëvendosje njoftoi se policë të shumtë po qëndrojnë në ambientet ku po mjekohet deputetja, Albulena Haxhiu.

Lajme

19/02/2016 18:57

Sipas VV-së, ata nuk po lejojnë as familjen që t’i qëndrojë pranë në dhomën ku po merr kujdesin mjekësor.

“Policët deri më tani nuk kanë paraqitur urdhër-arrest dhe asnjë dokument tjetër zyrtar. Ndonëse ata nuk kanë asnjë të drejtë që ta mbikëqyrin deputeten, ata po ushtrojnë presion psikologjik mbi të, edhe pas tronditjes që ajo ka pësuar sot”, thuhet në njoftim.

Sipas VV-së, ky regjim që paradite e lëndoi fizikisht deputeten, pasdite shpifi për të, dhe tash nuk po lejon as që ajo të shërohet normalisht, është regjim shtypës.

“Madje regjimi nuk po kujdeset më as që ta fshehë këtë. Ky regjim duhet të bjerë sa më parë, dhe kjo seancë e dhunës duhej të ishte seanca e tij e fundit. I urojmë shërim sa më të shpejtë aktivistes Albulena Haxhiu”, thuhet në njoftim.