lajmi.net

Policia nuk i fshinë nga sistemi tiketat e trafikut të paguara, qytetarët në hall

Policia e Kosovës, ka lansuar një formë online në faqen zyrtare, në të cilën qytetarët mund të kuptojnë nëse kanë ende gjoba të papaguara.

Lajme

06/07/2018 22:10

Mirëpo, disa qytetarë që kanë përdorur linkun e Policisë, për të parë gjobat në emrin e tyre, kanë kuptuar që aty gjenden edhe dënime që i kanë paguar, por nuk janë larguar nga sistemi.

“I paskam vet akoma dy tiketa në sistemin e Policisë! Edhe pse të dyja i kam paguar në të njëjtën ditë që më janë shqiptuar!”, ka shkruar një qytetar.

Gjithashtu, K. Berisha, është habitur kur ka shikuar në sistem online, që posedon tri gjoba të papaguara, edhe pse ka thënë se të tri gjobat i ka paguar me kohë.

“Nuk e di. E çuditshme! Unë i kam paguar të gjitha gjobat e shqiptuara, por në sistem qenkan akoma të pa hequra. Nuk e mbaj mend se ku i kam hedhur pagesat. A do të thotë kjo se tani unë duhet prapë të paguaj?!”, ka thënë Berisha.

Raste të tilla u ka ndodhur edhe disa qytetarëve të tjerë e disa prej tyre këtë e kanë shprehur edhe përmes rrjetit social Facebook.

Kujtojmë që Policia kishte ndaluar disa persona nëpër pikat kufitare të vendit për shkak të gjobave të papaguara, veprim që nuk është i mbështetur në asnjë bazë ligjore. Njëri nder ta ishte edhe producenti muzikor, Nurtel Morina, i cili ka shkruar edhe në Facebook.

Lexoni edhe:

Këtu mund ta verifikoni nëse keni gjoba të papaguara

LM