Policia në kërkim të personit që Isa Mustafa e përmendi në një emision

Policia e Kosovës është vënë në kërkim të aktivistit të Vetëvendosjes, Valdrin Ahmeti, pasi kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e përmendi atë në emisonin “Debat” në RTK.

Lajme

03/09/2015 13:56

Këtë e bëri të ditur Lëvizja Vetëvendosje, nëpërmjet një njoftimi ku thuhet se efektiviteti policor është i jashtëzakonshëm kur bëhet fjalë për kryeministrin.

“Sot, rreth orës 11:00, Policia e Kosovës shkoi për ta arrestuar në shtëpinë e tij, aktivistin e Vetëvendosjes-s, Valdrin Ahmeti”, thuhet në njoftim.

Pas ekspress-dënimit të djeshëm të një qytetari që nga mllefi kishte “kërcënuar” ministrin, dhe djalin e kryeministrit, sipas Vetëvendosjes, sot u tregua edhe njëherë që efektiviteti policor është i jashtëzakonshëm kur bëhet fjalë për kryeministrin.

“Ky veprim i policisë, e cila po e kërkon për ta arrestuar aktivistin Valdrin Ahmeti, vjen pasi që të njëjtin aktivist vetë Isa Mustafa e përmendi me emër në emisionin “DEBAT” në RTK, më 28 gusht 2015”, thuhet më tej.

Pra, sipas kësaj Lëvizje, është e qartë që Isa Mustafa është shndërruar, siç thonë ata, në kryepolic që jep urdhra se kënd ta arrestojë policia, kënd ta dënojë urgjentisht gjykata, ndaj kujt të hapen hetimet, etj. “Ky kryepolic, e ka vënë të gjithë sistemin në shërbim të tij, familjes, pronave dhe ministrave të tij. Ky nuk është kryeministër i qytetarëve të Kosovës”, përfundojnë më tej komunikatën./lajmi.net.