Policia: Ndalni përdorimin e armëve në ahengje

Nga viti në vit, vërehet të ketë rënie të përdorimit të armëve gjatë ahengjeve në Kosovë.

Lajme

26/07/2014 14:56

Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë Rajonale në Gjilan tha se edhe pse kohëve të fundit ka rënie të të shtënave nëpër dasma e ahengje megjithatë shqetësimi për policinë është ende i madh.

Ai shtoi se policia është duke vëzhguar dhe operuar kudo nëpër gazmende me të vetmin qëllim që ato mos të shndërrohen në tragjedi.

Hashani kërkon nga qytetarët dhe mërgimtarët që të jenë të përmbajtur sepse askush nuk do të shpëtojë pa u ndëshkuar.

“Festo me zemër e jo me armë”, porosit dhe bën apel Hashani.

Ai tha se nuk ka ndonjë statistikë të konfiskimit të armëve nëpër dasma, por ka rënie të kësja dukurie dhe ky është një fakt shumë domethënës për policinë sepse këshillat e vërejtjet tona kanë dhënë efekt dhe kanë vetëdijesuar qytetarët.

“Aty ku ka dyshime se ka të shtëna apo prishje të qetësisë publike ne jemi menjëherë të pranishëm. U bëjmë apel qytetarëve dhe mërgimtarëve tanë të respektuar që të kenë kujdes maksimal sepse ka ndodhur që dasmat dhe ahengjet janë kthyer në tragjedi familjare”, tha Hashani.

Ndërkohë në fshatin Ramnishtë të Vitisë njoftohet se është arrestuar i dyshuari mashkull shqiptar pasi që i njëjti në një aheng familjar (dasmë) ka shtënë me armë zjarri në ajër, njoftoi Policia e Kosovës.

Sipas policisë, nga i dyshuari është konfiskuar një revole CZ me një karikator me 9 fishek të kalibrit 9 mm.

Me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. (RajoniPress)