Policia konfiskon mbi 13 kilogramë marihuanë dhe arreston një shtetas të Serbisë

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në një aksion të realizuar të mërkurën, ka sekuestruar 13 kilogram marihuanë dhe ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale ‘blerje, posedim, shitje ose shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose  analoge’.

Lajme

26/05/2016 16:27

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se i arrestuari është mashkull me inicialet I.A., serb dhe shtetas i Serbisë, lindur më 1972.

Operacioni policor sipas një komunikatë të PK-së,  është realizuar në rrugën magjistrale Prishtinë-Graqanicë,  konkretisht në fshatin Hajvali, ku pas kontrollit të veturës së të dyshuarit të arrestuar është gjetur sasi e konsiderueshme e narkotikëve.

“Gjatë kontrollit në veturën e personit të dyshuar, zyrtarët policorë në veturën e të dyshuarit kanë gjetur dhe kanë konfiskuar: 25 paketime të mbushura me narkotikë të llojit marihuanë, pesha e të cilës ka rezultuar të jetë 13 kilogramë e 457.6 gramë, 10180 dinarë dhe 95 euro para të gatshme, dy telefona celularë”, thuhet në komunikatë të Policisë.

Me vendim të prokurorit kompetent i dyshuari është arrestuar dhe dërgohet në qendrën e mbajtjes.