Policia kërkon Xhelal Sveçlën, VV thotë se ai gjendet në zyrë

Dje Policia e Kosovës me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka arrestuar 11 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje për dëmtim të pronave të EULEX-it. Mes të kërkuarve është edhe Drejtori i Inspeksionit, në komunën e Prishtinës Xhelal Sveçla.

Lajme

22/07/2015 13:39

Pavarësisht urdhrit të gjykatës për ta arrestuar Xhelal Sveçlën, ai vazhdon punën në orarin e përditshëm në Komunën e Prishtinës, raporton Indeksonline.

Lidhur me urdhëresën e Policisë së Kosovës për ta arrestuar drejtorin e Inspeksionit, Xhelal Sveçla, për të cilin është raportuar në media se nuk e kanë gjetur në Komunë, Frashër Krasniqi zëdhënës në Vetëvendosje ka thënë se drejtori si çdo ditë tjetër është në punën e tij dhe se anëtarët e VV-së nuk janë frikësuar asnjëherë nga policia.

“Zotëri Sveçlën e kanë kërkuar policia për shkak se ai ka qenë pjesëmarrës në aksionin e vitit 2009. Ne asnjëherë nuk i jemi frikësuar policisë por nuk kemi pranuar që vullnetarisht të shkojmë në polici për faktin se nuk ndihemi fajtorë”, ka thënë Krasniqi për Indeksonline

Ndërkaq, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se Drejtori Sveçla nuk konsiderohet i arratisur, pasi sipas tij, të kërkuarit munden të jenë në pushime ose jashtë shtetit me detyra të caktuara, por kurdoherë që personi i kërkuar haset ai merret nën arrest nga policia.

“Gjithçka që mund të themi është se Policia e Kosovës çdo urdhërarrest që lëshohet nga organet e drejtësisë e merr në zbatim”, ka thënë Baki Kelani për Indeksonline. /Indeksonline