Policia kap medikamente kontrabandë

Dy persona janë arrestuar, pasi dyshohet se kanë kontrabanduar produkte medicinale pa banderolë. Dyshohet se këto produkte kanë hyrë në Kosovë në mënyrë të kundërligjshme nga Serbia.

Lajme

23/11/2013 10:36

Janë arrestuar dy persona nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të kontrabandimit të mallrave dhe tregti të ndaluar. Personat e dyshuar janë arrestuar mbrëmë, rreth orës 20:40,  në fshatin Veriq në Komunën e Istogut, ku Policia e Kosovës ka konfiskuar sasi të konsiderueshme të produkteve medicinave pa banderola dhe me dokumente përcjellëse.

Dy personat e dyshuar me inicialet N.H(1986) dhe L.R(1988) janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe nga vetura e tyre janë konfiskuar medikamentet.

Poashtu, policia ka konfiskuar edhe dy vetura, në cilësinë e provave materiale, pasi që mendohet se me ato është bërë transporti i medikamenteve.

Dyshohet se dokumentet përcjellëse ishin me origjinë nga Serbia dhe janë futur në Kosovë në mënyrë të kundërligjshme, thuhet në një komunikatë të Policisë së Kosovës.

Rasti po hetohet nga Policia e Kosovës dhe nga inspektorët e Agjencionit Kosovar për Produkte Medicinale.